Pas fitores 3:1 ndaj Osijekut ditë më parë, sot skuadra e Shkëndijës me po të njëjtin rezultat mundi skuadrën ukrainase të Vorskla Poltavas, njofton “infOSport.mk”.
3 golat e “kuqezinjëve” mbajnë firmën e Izari Eminit (39’), Mevlan Muratit (64’) dhe Arbin Zejnullait (68’), teksa golin e vetëm për skuadrën ukrainase e realizoi Gableko (57’).
Ishte kjo ndeshja e tretë e Shkëndijës në kuadër të ndeshjeve kontrolluese që kjo skuadër i zhvilloi në Rogashka Sllatina të Sllovenisë, aty ku nga 20 qershori kishte zhvilluar fazën e prëgatitjeve në prag të ndeshjes së parë eliminatore të Ligës së Kampionëve Europian përballë skuadrës së New Saints nga Uellsi.
Rikujtojmë përveç fitoreve ndaj Vorskla Poltavës dhe Osijekut, të besuarit e trajnerit Qatip Osmani, kishin barazuar në ndeshjen e parë ndaj Domzhales.
Ndeshjen kundër New Saints, Shkëndija do ta zhvillojë me 10 korrik si vendas.