Çfarë po ndodh me fantazistin “gjerman”, Mesut Ozil?

Eliminimi i Gjermanisë nga Botërori i Rusisë që në fazën në grupe është pasuar me zhurmën e një minirevolucioni tek “pancirët”. Joakim Lëv u konfirmua në krye të kombëtares gjermane deri në përfundim të kontratës së firmosur përpara turneut, me ndryshimet që priten të vijnë në skuadër.

Më i kritikuari te skuadra gjermane ka qenë fantazisti, Mesut Ozil dhe për faktin se prej tij pritej shumë.

Ftohja e mesfushorit të Arsenalit me fansat ka ardhur përpara startit të kampionatit Botëror, pasi Ozil postoi në rrjetet sociale një foto me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ku i kishte bashkëngjitur mbishkrimin, me “presidentin tim”.

Reagimi i tifozëve ka qenë i ashpër në miqësoret e fundit përpara nisjes në Rusi, ndërkohë që Ozil la shumë për të dëshiruar në fazën e grupeve.

Aktualisht 30-vjeçari është me pushime, por duket se e ardhmja e tij ndërkombëtare është një telenovelë që pasurohet me seri të reja nga dita në ditë.

Presidenti i federatës gjermane të futbollit, Reinhard Grindel i ka lëshuar një ultimatum për të sqaruar përpara tifozëve çështjen e fotos me Erdogan, një mënyrë për të zbutur zemërimin e fansave edhe pas asaj paraqitjeje të dobët.

Ndaj tij nuk kanë munguar as kritikat e menaxherit të skuadrës Oliver Bierhof, ndërkohë që i fundit në skenë ka dalë dhe babai i lojtarit, që i kërkon të birit të mendojë tërheqjen nga Kombëtarja e Gjermanisë.
Një deklaratë që pritet të shtojë akoma më shumë tensionin e një marrëdhënie të krisur, ndërmjet futbollistit gjerman me origjinë turke dhe tifozëve, por edhe me drejtuesit e skuadrës, pasi një Ozil si ai i kohëve të fundit vështirë se mund të afrohet në skuadër.

Gjithçka pritet të sqarohet më tej, me turko gjermanin që ka qenë një nga pikat më të forta në dekadën e fundit të “Pancerave” në arenën ndërkombëtare.

Leave a Reply