Adriano: Stërvitesha i dehur, ndërsa Interi tentonte të mi mbulonte problemet

Në një intervistë shumë personale për edicionin brazilian R7, ish sulmuesi i Interit, Adriano ka zbuluar detaje për varësinë e tij nga alkooli, që kishte ndikuar shumë negativisht në karrierën e tij futbollistike.

“Imperatori”, siç dëshironin ta quanin tifozët e Interit, te alkooli kishte gjetur ngushëllim, pas vdekjes së babait të tij, ndërsa nga tabori i Interit tentonin t’ia mbulonin  problemet sulmuesit brazilian.

“Kur babai im vdiq, unë u shkatërrova totalisht. Isha pothuajse çdo ditë i pirë dhe i tillë shkoja në stërvitje me Interin, por klubi më mbulonte dhe nuk u morr vesh asgjë”.

Kanë qenë këto fjalët e ish-sulmuesit brazilian Adriano, që disa vite pas largimit nga skuadra “zikaltër” ka rrëfyer të vërtetën.

“U izolova nga gjithçka dhe në Itali isha i trishtuar, në depresion, ndaj dhe vendosa të pi. Shkoja në stërvitje i dehur, por nuk mungoja asnjëherë dhe klubi më dëbonte që të flija në infermieri. Klubi deklaronte që isha i dëmtuar, se kisha probleme muskulore dhe nuk merrej vesh asgjë”, tha më tej Adriano.

“Vetëm unë e di se sa kam vuajtur pas vdekjes së babait tim. Problemi më alkoolin kushtëzoi karrierën time dhe jo vetëm. Ndihesha i lumtur vetëm kur pija dhe kjo gjë ndodhte çdo natë. Pija gjithçka, uiski, verë, vodka, birrë, shumë birrë. Nuk ndalesha së piri dhe në fund vendosa të largohem nga Interi. Klubi u përpoq të më ndihmojë, por nuk dija se si ta fshihja problemin që kisha. Më vonë kuptova se problemi më i madh ishin njerëzit që kisha pranë, miq që më çonin në festa çdo natë dhe pastaj vetëm femra. Kur u ktheva në Brazil hoqa dorë nga paratë, por rigjeta lumturinë”, tha Adriano.

Adriano Leite Ribeiro pjesë e Interit ishte për 5 vite të plota (2004-2009), duke zhvilluar 177 ndeshje dhe duke realizuar 74 gola.

Leave a Reply