Sileksi-Shkëndija, statistika dhe kuriozitete që duhet ti dini për këtë ndeshje

Sileksi dhe Shkëndija do të zhvillojnë një nga ndeshjet më interesante të javës së 6-të në elitën e futbollit vendor. Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve identike 2:0 në mesjavë në kuadër të Kupës së Maqedonisë. Shkëndija në Tetovë mundi ekipin e Kit Go, teksa Sileksi në Autokomandë ngadhnjeu ndaj Skopjes.

HISTORIA

Pas vitit 2008, Shkëndija në 24 duele të zhvilluara numëron 21 fitore, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje (3:1 në Kratovë në vitin 2015) dhe dy barazime (dy herë 1:1 në Kratovë në vitet 2010 dhe 2017). Sezonin e kaluar kuqezinjtë triumfuan në të katër duelet me Sileksin, duke shënuar 11 gola dhe duke pranuar vetëm 1.

Ndryshe në të gjitha 37 duelet që datojnë nga viti 2004, janë shënuar gola, ndërsa vetëm një ndeshje mes tyre është mbyllur me barazim pa gola, edhe atë me 4 mars të vitit 2007 në Kratovë.

  • fitoren më të lartë Shkëndija e ka arritur sezonin e kaluar , kur në Tetovë kishte shënuar fitore 5:0, ndërsa disfatën më të madhe “kuqezinjtë” e kanë pësuar me 29 prill të vitit 2007, kur në Kratovë ishin mundur me rezultatin 6:0.
  • Dy fitoret më të thella në Kratovë, Shkëndija i ka realizuar në vitin 2011 dhe 2012 kur shënonte fitore me rezultatin 1:4.
  • Gjatë muajit shtator këto dy skuadra janë takuar 5 herë, ndërsa në asnjërën prej tyre Sileksi nuk ka mundur të fitojë. Shkëndija ka shënuar 4 fitore, përfshirë edhe njërën prej më të thellave në Kratovë (1:4), ndërsa vetëm një ndeshje është mbyllur me barazim
  • Në kuadër të javës së 6-të, sikur kjo e këtij sezoni, këto dy skuadra janë takuar dy herë. Ndeshja në Kratovë e sezonit 2005/2006 ishte mbyllur me barazim, ndërsa ajo e sezonit 2017/2018 në Tetovë ishte mbyllur me fitoren e Shkëndijës (5:0).

FUTBOLLISTË TË DALLUAR

Pa dyshim se te Shkëndija lider i skuadrës është Besart Ibraimi, i cili kualitetet e tij po i dëshmon tash vite me rradhë në kampionatin tonë elitarë, njëjtë sikurse edhe këtë edicion ku në 5 javët e para ka shënuar 6 gola, ndërsa futbollistë tjerë në formë janë edhe Besmir Bojku, si dhe e tërë vija e fundit mbrojtëse, ku spikasin Bejtullai, Musliu, Adili dhe Mici. Në anën tjetër Sileksi njihet për lojën kolektive që e aplikon. Edhe pse ndoshta pritej më shumë nga sulmuesi francez, Emanuel Mbella, i njëjti ende nuk po arrinë të gjejë veten, dhe ende është në kërkim të golit të parë.

MUNGESAT

Te Shkëndija edhe në këtë ndeshje do të mungojë Mevlan Murati, i cili ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i para disa javëve, ndërsa në ndeshjen e sotme ndaj Sileksit pritet që të inkuadrohet braziliani Zhunior. Në anën tjetër në dyshim të madh është paraqitja e portierit numër një Spasojeviq, ndërsa vetëm në momentet e fundit trajneri Zhikica Tasevski do të vendos për sulmuesin Dario Desniq. Jashtë kombinimit edhe për ndeshjen me Shkëndijën mbetet mesfushori Petar Ljamçevski.

SEZONI I RI

Sileksi është kundërshtar i preferuar i Shkëndijës por asnjëherë i lehtë. Ekipi nga Kratova din të shkaktojë probleme posaçërisht në fushë të vet, ndërsa edhe gjithë ajo seri pozitive e “kuqezinjëve” është ndërtuar me shumë mund dhe seriozitet. Tre vitet e fundit Sileksi konkuron për Kupat e Europës dhe vitin e kaluar humbi një gjë të tillë vetëm falë serisë negative në mbyllje të kampionatit, pasi paraprakisht dukeshin të sigurtë në vendin e tretë me 12-të pikë më shumë se rivalët.

Këtë sezon nuk e kanë nisur sipas pritjeve, pasi në pesë xhirot e para Sileksi ka shënuar vetëm një fitore, ndërsa ka humbur dhe barazuar nga dy herë dhe me pesë pikë mban pozitën e gjashtë.

Në anën tjetër Shkëndija pas startit jo aq të mirë, kur në dy xhirot e para barazonte ndaj Vardarit dhe Makedonija Gj.P., tashmë ka rimarë veten dhe është rikthyer në identitetin e duhur, pasi në 5 ndeshje me rradhë nuk dinë për disfatë. Të besuarit e trajnerit Osmani kanë regjistruar tre fitore të njëpasnjëshme në kampionat dhe dy në kuadër të Kupës.

Leave a Reply