Buskets rinovon kontratën me Barcelonën, klauzola shkon në 500 milionë euro

Serhio Buskets ka zyrtarizuar përmes firmës rinovimin e kontratës me Barcelonën, mëngjesin e sotëm. Zv.kapiteni blaugrana, i cili ka negociuar me klubin “katalunas” përmes agjentit të tij, Josep María Orobitg, ka përfituar përmirësim ekonomik të marrëveshjes.

Buskets, i cili debutoi një dekadë më parë me Barcelonën, do të mbetet në “Kamp Nou” deri në vitin 2023. Tashmë 30-vjeçar, mesfushori në fjalë është një nga futbollistët kryesorë për trajnerin dhe grupin.

Presidenti Bartomeu vendosi një klauzolë ndërprerjeje të kontratës së re prej 500 milionë auro, ndërsa e mëparshmja ishte në shumën e 200 milionë eurove.

Futbollisti katalunas ka zhvilluar 490 ndeshje me Barcelonën (e ka bërë debutimin nën drejtimin e Pep Guardiolës) dhe ka shënuar 13 gola. Natyrisht, edhe pse ai dëshiron më shumë tituj, “palmaresi” i tij është me 28 trofe, një shifër që nuk është e keqe.

Leave a Reply