Duka vendos për të ardhmen e Panuçit!

Fitorja e mbrëmshme 1:0 ndaj Uellsit duket se i ka shpëtuar stolin teknikut të kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi.

Italiani ishte në vështirësi pas ndeshjes, pasi dukej shumë i emocionuar dhe në tension. 45-vjeçari nuk e dinte nëse do të vazhdonte të ishte në krye të kombëtares shqiptare, e cila në vitin 2018 në 9 ndeshje, kishte arritur vetëm dy fitore, një barazim dhe gjashtë disfata.

“Procesi Sportiv” bën me dije se mes kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe Kristian Panuçit është zhvilluar një takim që ka vendosur dhe të ardhmen e trajnerit. Biseda është zhvilluar privatisht dhe duket se presidenti ka vendosur t’i besojë trajnerit aktual dhe për eliminatoret e kampionatit Europain.

Një vendim i guximshëm nga numri një i institucionit më të lartë të futbollit shqiptarë, pasi dihet që një dështim i mundshëm në eliminatoret e “Euro 2020” do të ulte shumë dhe kreditet e tij.

Strategu italian është shumë i kritikuar për zgjedhjet e tij teknike dhe taktike, ngecjen e rinovimit të kombëtares dhe marrëdhëniet me futbollistët.

Ai nuk ka as dashamirësinë e tyre, e as simpatinë e tifozëve shqiptarë që e cilësojnë atë si një ndër shkaktarët kryesorë të dështimit dhe rënies së ekipit ‘kuqezi’.

Megjithatë edhe përkundër gjithë këtyre fakteve, Panuçi ka bindjen se mund të ndryshojë diçka nga mekanizmat e skuadrës pavarësisht se i ka të gjithë kundër.

Leave a Reply