Agim Ibraimi zgjedh mes Shkëndijës dhe milionave arabe!

Futbollisti tetovarë nuk ka vazhduar kontratën e tij me Domzhalen, ndërsa lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i kësaj skuadre, Matej Orazhem…

Agim Ibraimi edhe zyrtarisht është një futbollistë i lirë. Futbollisti tetovarë nuk ka vazhduar kontratën e tij me Domzhalen, ndërsa lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i kësaj skuadre, Matej Orazhem, njofton ‘infOSport.mk’.

‘Neve ishim në fund të kontratës me Ibraimin, i cili ka vendosur që të provojë veten diku tjetër, kjo edhe për arsye financiare, të cilat ndoshta tek neve kanë qenë në kuadër të kornizave optimale, megjithatë kjo na shton dëshirën për të vazhduar me strategjinë tonë të klubit, e që bazohet në zhvillimin e futbollistëve të rinj. Agim Ibraimi pa dyshim se ishte një ndër bartësit e ekipit tonë, i cili me përvojën e tij bëri që të jemi konkurrent për vendet e para, mirëpo mund të them se edhe neve si klub e kemi ndihmuar që ai të kthehet në formën e tij më të mirë, ashtu siç jemi mësuar ta shohim atë. Ne jemi të kënaqur nga bashkëpunimin ynë, që gjithnjë ka qenë i drejtë dhe në një nivel të lartë, ndërsa mund të them se Agim Ibraimi ka qenë vërtetë një futbollistë shumë profesional. Për këtë arsye, unë do të doja sinqerisht të falënderoja Agimin për qëndrimin e tij te skuadra jonë dhe gjithë atë që ka dhënë në fushën e gjelbërt për Domzhalen’ – u shpreh drejtori sportiv i Domzhales, Matej Orazhem.  

Ibraimi pjesë e Domzhales ishte nga shtatori i vitit 2017-të, ndërsa brenda kësaj periudhe të kaluar, ai me skuadrën sllovene numëron gjithsej 43 ndeshje dhe 6 gola të shënuar. Pikërisht në Slloveni Ibraimi kishte krijuar emër me paraqitjet e tij te skuadra e Maribor, për të cilën skuadër  në 164 ndeshje, kishte realizuar 40 gola, ndërsa përveç këtyre dy skuadrave, ai në futbollin slloven gjithashtu kishte luajtur edhe me Olimpija Ljublana dhe Nafta.

Mirëpo kjo nuk është e tëra nga karriera e tij e pasur, pasi ai gjithashtu kishte qenë edhe pjesë e ‘Serie A’, duke mbrojtur ngjyrat e Kaljarit, pastaj Red Bull Salzburgut (Austri), Astanas (Kazakistan) dhe Eskishehirspor (Turqi).

Ndryshe karrierën e tij Ibraimi e kishte nisur në vendlindje te skuadra e Shkëndijës, aty ku ekziston mundësia që të rikthehet sërish pas plotë 12 viteve, edhe pse për të interesohet edhe skuadra arabe e Al Itihad, që aktualisht udhëhiqet nga strategu kroat, Slaven Biliç, transmeton ‘infOSport.mk’.

Kjo skuadër nuk po kalon aspak momente të mira në elitën e futbollit arab, ndërsa dëshira e tyre e madhe është që të transferojnë futbollistin tetovar, i cili do i ndihmonte ata në luftën për mbijetesë.

Leave a Reply