Derbi i kryeqytetit shqiptarë, Tirana, 5 vite pa fitore ndaj Partizanit

E premtja në Superligën shqiptare do të sjellë derbin e kryeqytetit shqiptarë mes Tiranës dhe Partizanit, dy skuadra këto me më shumë trofe në Shqipëri.

“Bardheblutë” prej mëse 5 vitesh nuk arrijnë të fitojnë një përballje me kundërshtarin e tyre historik dhe kjo gjë tashmë po ia kthen ndeshjen me “Të kuqtë” në një tabu.

Gjithsesi, ritmi i vitit 2019 ka qenë pozitiv për djemtë e Memës dhe trajneri i Tiranës është i bindur se ka ardhur momenti për të bërë kthesën edhe në derbi.

“Është fakt që Tirana nuk fiton prej 5 vitesh me Partizanin. Ndoshta ka ardhur dita për ta thyer këtë tabu, futbolli i pranon të tre rezultatet. Gjithsesi, ne jemi përgatitur për këtë ndeshje të fortë dhe do ta fitojë ai që do të bëjë më pak gabime gjatë lojës”, deklaroi Mema.

Ndërkohë, tek Partizani mbizotëron euforia jo thjesht për sukseset ndaj Tiranës në vitet e fundit, por për një nga sezonet më të mira të viteve të fundit, që po i çon djemtë e Skënder Gegës drejt titullit kampion që i mungon që nga viti 1993. Megjithatë, derbi ka historinë e tij.

“Janë dy klube të mëdha, me histori të madhe dhe adrenalina dhe presioni është i pashmangshëm. Nuk kemi probleme fizike dhe duhet të jemi të qartë për atë që do të bëjmë. Kemi besim dhe potencial për të marrë maksimumin”, tha Skënder Gega, transmeton TCH.

Ndeshja mes Tiranës dhe Partizanit do të luhet ditën e premte në orën 18:00 në “Selman Stërmasi”.

Leave a Reply