Futsal Shkupi do të luaj në finalen e madhe të turneut “Adem Jashari”

Futsal Shkupi ka siguruar një vend për në finalen e madhe të turneut “Adem Jashari” në Prishtinë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Çairi mbrëmë në ndeshjen gjysmëfinale mundi ekipin e Drenicës me rezultatin 6:2, ndërsa më i merituari për këtë fitore të Futsal Shkupit ishte Ismet Ceka, i cili realizoi “hat-trik”.

Që të tre golat Ceka i realizoi gjatë pjesës së parë, kur rezultati në semafor tregonte 1:4 për skuadrën shkupjane, ku një gol tjetër realizoi edhe Taulant Ismaili. Gjatë pjesës së dytë trajneri Lekiq ju dha rastin edhe futbollistëve më të ri, të cilët treguan shumë potencial dhe grindë, duke luftuar në çdo duel, ndërsa një gjë e tillë dha rezultat, pasi me golat e Erkan Shabanit dhe Arsim Fazliut, në fund Futsal Shkupi arriti një fitore komode.

Në finalen e madhe skuadra “bardhekaltër” do të luaj kundër Prishtinës, që mbrëmë në gjysmëfinalen e parë kishte mundur ekipin e SEEU Tetovës me rezultatin 7:0.

Finalja e madhe Futsal Shkupi – Prishtina në kuadër të turneut ndërkombëtarë “Adem Jashari” starton në ora 20:30 në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, ndërkohë me fillim në ora 18:30 në program është finalja e vogël midis Drenicës dhe SEEU Tetovës.

Leave a Reply