Osmani: Morëm fitore bindëse, ta mbajmë këtë ritëm (VIDEO) 

Kampionët në fuqi të vendit në futboll, Shkëndija kthehen te fitorja pas barazimit të xhiros së shkuar me Makedonija Gjorçe Petrovi, duke fituar bindshëm ndaj Bellasicës me rezultat 3:0. Skuadra nga Strumica ishte e aftë të rezistojë vetëm në 45 minutat e para, pasi në të dytën Shkëndija gjeti tre gola me anë të Eminit, A. Ibraimit dhe Imerit. Trajneri Qatip Osmani ka vlerësuar performansën e skuadrës, ndërsa potencon se është shumë e pritshme që çdo kundërshtar në duelet me kuqezinjtë të hynë me motive të shtuara.

“Duhet të jemi të kënaqur me tre pikët e fituara edhe pse rezultati bindës tregon se e kishim të lehtë. Por përkundrazi, nuk ishte aspak e tillë dhe duhet të kemi parasysh se Shkëndija të gjitha ndeshjet do t’i ketë kështu të vështira për shkak se motivimi i kundërshtarëve ndaj neve është më i madh. Për këtë duhet të jemi të përgatitur psiqikisht dhe fizikisht. Ne pritshim ta kemi të vështirë pa marrë parasysh se Bellasica gjendet në pjesën e poshtme të klasifikimit. Por në fund ne morrëm fitore bindëse dhe shpresoj të mbajmë këtë ritëm edhe në ndeshjet në vazhdim”, ka thënë trajnerin i Shkëndijës Qatip Osmani.

Për dallim nga dy takimet paraprake, kuqezinjtë kundër Bellasicës në formacionin startues kishin tre ndryshime. Junior, Bojku dhe Nafiu ishin titullarë, ndërsa në pankinë u gjetën A. Ibraimi, Fazli dhe Totre.

“Sot ne ishim edhe të obliguar të bëjmë ndryshime në skuadër për shkak se kishim lojtarë që ishin me virozë. Disa lojtarë u detyruam t’i lëmë në pankinë, si që është Agim Ibraimi i cili këto ditë ishte me temperaturë”, tha trajneri kuqezi.

Fitorja e 14-të sezonale për kuqezinjtë në kombinim me humbjen e Akademia Pandevit bën që kuqezinjtë të zgjerojnë në 9-të pikë diferencën me skuadrën e vendit të dytë në tabelë, që tashmë sërish është Vardari.

“Mendoj se ne duhet të koncentrohemi në ndeshjet tona, të fitojmë në vazhdimësi. Për ne punë më e sigurtë është të fitojmë ndeshjet tona dhe mos të bazohemi te kundërshtarët. Gjithsesi na vjen mirë kur rezultatet e rivalëve na shkojnë në favorin tonë”, përfundoi tekniku Qatip Osmani.

Leave a Reply