Besart Ibraimi për “infOSport.mk”: Ta mbyllim vitin 2019-të me fitore kundër Vardarit

Kampionati elitar nesër në program ka ndeshjet e fundit për gjysmësezonin 2019/20, ndërsa mbyllet me një super-derbi kur në Shkup përballen rivalët për titull, Vardari dhe Shkëndija.

Kjo do të jetë përballja e 60-të në histori ndërmjet këtyre dy ekipeve, ndërsa para këtij takimi për “InfOSport.mk” është prononcuar sulmuesi i tetovarëve, Besart Ibraimi.

“Para vetes kemi ndeshjen e fundit kampionale për vitin 2019 dhe sigurisht se duam ta mbyllim në mënyrën më të mirë. Vardari ka ecur mirë në vjeshtë dhe përparësia që kanë krijuar i vendos në pozitë për të na mbajtur nën presion dhe ne jemi të vetëdijshëm se na pret detyrë e vështirë. Vlerësoj se jemi të përgatitur për të dhënë impaktin e pritur nga ne dhe besoj se me një paraqitje pozitive do të marrim rezultatin e dëshiruar”, shprehet për “InfOSport.mk”, Besart Ibraimi.

Golashënuesi më i mirë në histori të futbollit vendor, në takimin e fundit të luajtur në arenën “Todor Proeski” kundër Vardarit, realizoi super-gol, ndërsa të njejtën pretendon ta bëjë edhe nesër, por gjithsesi se në plan të parë gjithmonë ka suksesin ekipor.

“Për mua gjithmonë me rëndësi është suksesi ekipor dhe shërbimet e mia në plan të parë shkojnë në interes të grupit. Natyrisht se si sulmues pres të kem rast për të shënuar dhe ajo që është 100% e sigurtë është se do të jap më të mirën nga vetja për të ndihmuar ekipin të rëmbejë fitoren”,  tha Ibraimi.

Diferenca aktuale mes dy ekipeve në renditjen tabelare qëndron 8 pikë, me Vardarin që është lider aktual, ndëra me fitore eventuale të Shkëndijës, tetovarët do ta ngushtojnë diferencën në 5 pikë, duke përfunduar në vendin e dytë gjysmësezonin dhe mbeten më afër objektivit. Por, numri 7-të i kuqezinjëve tetovar thotë që nuk ai dhe skuadra e tij nuk e merr me presion një gjë të tillë, pasi asgjë ende nuk ka përfunduar dhe ka edhe shumë për tu luajtur.

“Nuk i bëjmë vetes presione të tilla, pasi do të mbeten edhe 18-të ndeshje tjera për të luajtur në pranverë dhe sipas mendimit tim sido që të del rezultati i kësaj sfide, lufta për titull do të mbetet e hapur. Sigurisht se me fitore ne do t’ia lehtësonim vetes pasi që tani do të shkurtohej ndjeshëm distanca, ashtu si kemi bërë xhirot e fundit kur nga 12-të e kemi ngushtuar në 8-të pikë negativën. Shpresoj të zbutet akoma pas kësaj ndeshje”, përfundon Besart Ibraimi.

Derbi Vardari-Shkëndija zhvillohet nesër në stadiumin “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 13:00. /InfOSport.mk

Leave a Reply