Emini flet për eksperiencën e tij 6 mujore në futbollin kosovar

Izair Emini verën e këtij viti vendosi që të ndahet me Shkëndijën dhe të kalojë në rradhët e skuadrës kosovare të Dritës së Gjilanit, aty ku gjeti për trajner ish bashkëlojtarin e tij Ardian Nuhiu, me të cilin në vitin 2011-të i kishin sjellë titullin kampion Shkëndijës.

I njëjti në një intervistë për “infOSport.mk”, foli për eksperiencën e tij gjatë këtyre 6 muajve të kaluar te skuadra gjilanase.

“Mund lirisht të them se më kanë pritur shumë mirë të gjithë në ekip, si presidentët, si kryesia, stafi, poashtu edhe bashkëlojtarët dhe kam qenë shumë i kënaqur nga ambienti që më ofruan” – u shpreh fillimisht Emini, i cili në aspektin personal kishte pritur më shumë nga vetja:  “Të jem realist në aspektin personal kam pritur shumë më shumë. Edhe unë vetë nuk jam i kënaqur nga vetja ime, mirëpo mendoj se kjo ka qenë çështje adaptimi, pasi që kampionati ku luaja më parë është shumë më ndryshe nga ky i Kosovës. Megjithatë është vetëm gjysma e sezonës, mendoj se në vazhdim do të jem ai që më njohin të gjithë”.

Sipas tij Drita mund të figuronte edhe më lartë në renditje.

“Po mund të them se kemi lëshuar shumë pikë dhe kemi mund të marrim shumë më shumë, mirëpo ajo nuk kthehet prap, iku. Tani na ka ngelur të shohim përpara, sepse ka edhe shumë për tu luajtur, mendoj se i kemi të gjitha gjasat dhe shanset për të fituar titullin kampion dhe do të luftojmë deri në fund për të fituar këtë kampionat” – shprehet Emini.

Mesfushori tetovar foli gjithashtu edhe për shanset e ekipit të tij rreth titullit kampion, por edhe skuadrat tjera pretendente.

“Ky gjysëm sezon ka qenë i ekuilibruar, e ku më së miri tregon edhe tabela, ku të gjitha skuadrat kanë treguar se secila mund ta fitoj secilën, dhe nuk mund te parashikosh se si do ecin gjërat tutje. Për titullin kampion mendoj se janë 4 – 5 vendet e para në luftë për të fituar këtë kampionat” – përfundoi Emini.

Drita e Gjilanit stinorin vjeshtor në elitën e futbollit kosovar e mbylli në pozitën e 3-të me 31 pikë, vetëm 3 pikë larg kreut që mbahet nga skuadra e Ballkanit të Ismet Munishit.

Leave a Reply