Çfarë sulmuesi ka humbur FC Shkupi, Jurina shënoi golin debutues për Mezokovesd (VIDEO)

Në ndeshjen e tij të dytë dhe sërish nga bankina, Marin Jurina ka shënuar golin debutues me ekipin nga elita e futbollit hungarez, Mezokovesd, njofton “infOSport.mk”.

Sulmuesi boshnjak, i cili gjatë stinorit vjeshtorë luante në formë huazimi nga rradhët e skuadrës boshnjake të Çelik, shënoi në barazimin 2:2 të skuadrës së tij kundër Ujpeshtit, ish skuadrës së Enis Bardhit.

Jurina, në këtë mënyrë vazhdoi me formën e mirë edhe në stinorin pranveror, duke pasur parasysh se edhe te FC Shkupi ishte golashënuesi më i mirë me 11 gola (8 në kampionat dhe 3 në kuadër të Kupës).

Mungesa e tij do të vërehet shumë me siguri te skuadra “bardhekaltër” nga Çairi, që deri në këto momente nuk ka arritur që të sjellë ndonjë sulmues me emër, përveç të riut, Jakup Berisha.

Jurina golin debutues me fanellën e Mezokovesd e realizoi në minutën e 53-të, vetëm 7 minuta pas inkuadrimit të tij në lojë në fillimin e pjesës së dytë, kur zëvendësoi hungarezin Daniel Nagy. Kujtojmë Jurina debutimin e tij me fanellën e Mezokovesd e kishte në ndeshjen e 1 shkurtit kundër Honved, kur në lojë u inkuadrua në 11 minutat e fundit të ndeshjes.

Pas këtij barazimi Mezokovesd renditet në pozitën e 3-të me 35 pikë, një më pak se skukadra e dytë në tabelë, MOL Fehervar të Visar Musliut, ndërkohë lider aktual është skuadra e Ferencvarosh me 42 pikë.

Leave a Reply