Çfarë do të ndodh nëse kampionatet nuk mbyllen! Ja vendimi i UEFA-s

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, pas një video-konference të enjten, ka dal me disa udhëzime sa i përket mundësisë që kampionatet vendore të mos përfundohen.

Ndonëse nga UEFA sërish është rekomanduar që të përfundohen kampionatet, nëse lejohet kjo. UEFA ka thënë se janë dy skenarë që po ekzaminohen nga grupi punues i kalendarit, të dyja me plan që garat vendore të nisin para garave të klubeve të UEFA-s, ku njëra parasheh të zhvillohen garat në mënyrë paralele e tjetra që të përfundohen ndeshjet vendore, para se të nisin ndeshjet e UEFA-s në gusht.

Është thënë se kampionatet mund të vendosin për vazhdimin e garave vendore në sistem tjetër nëse e shohin se është e mundur përfundimi. Mund të caktohen vendet për kupat evropiane apo mbijetesë nëpërmjet plejofit.

Sa për anulim të kampionateve UEFA ka thënë se lejohet në dy raste të veçanta:

  • Nëse ekziston një vendim që ndalon ngjarjet sportive në atë vend dhe garat nuk mund të përfundohen në kohën adekuate, para fillimit të stinorit të ardhshëm dhe
  • Nëse problemet e pakalueshme ekonomike e bëjnë të pamundur përfundimin e stinorit, pasi do të rrezikohet stabiliteti afatgjatë i ligës dhe klubeve.

Nëse kampionatet anulohen, atëherë UEFA ka rekomanduar federatat nacionale që të zgjedhin klubet pjesëmarrëse në kupat evropiane, bazuar në merita sportive, pra duke u marrë parasysh garën e stinorit 2019/20. Është thënë se procedura e zgjedhjes së klubeve duhet të jetë objektive, transparente dhe jo-diskriminuese.

Po ashtu UEFA ka thënë se ka të drejtë të refuzojë klubet e propozuara, në rast se gara është ndërprerë jashtë udhëzimeve që ka caktuar ajo. E po ashtu nëse procedura e zgjedhjes nuk ka qenë objektive e transparente. E gjithashtu nëse perceptimi i publikut është për jo korrektësi të kualifikimit të klubit.

Eredivisie e Holandës ka njoftuar më herët se nuk do të mund të përfundohet kampionati, shkaku i masave izoluese të vendosura nga qeveria.

Në video-konferencë është vendosur që Evropiani të njihet si Euro 2020 ani pse do të mbahet vitin e ardhshëm.

Gjithsej të etiketuara

Leave a Reply