Shkëndija dhe Besarti dakordohen, bomberi kërçovarë edhe dy vite “kuqezi”!

Ka marrë fund telenovela Besart Ibraimi. Bomberi kërçovarë do vazhdojë të tund rrjetat me fanellën “kuqezi” edhe në sezonet e ardhshme.

“infOSport.mk”, mëson se Besart Ibraimi dhe Shkëndija kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës edhe për dy vite të tjera.

Kontrata e tij aktuale skadonte në fund të këtij muaji, ndërsa duke pasur parasysh kualitetet që posedon ky futbollistë, por edhe kontributin e dhënë gjatë 5 viteve të kaluara te Shkëndija, drejtuesit e “kuqezinjëve” nga Tetova bënë çmos për të arritur akordin, që me siguri se do të gëzojë shumë edhe armatën e madhe të tifozëve “Ballistët”.

Ibraimi te Shkëndija erdhi verën e vitit 2015-të nga skuadra qipriote e Ermis, ndërsa gjithashtu kishte bërë karrierë ndërkombëtare edhe në Gjermani, duke veshur fanellën e Shalke 04, në Ukrainë, duke luajtur për skuadrat si Sevastopol, Tavriya dhe Metalurg Zaporozhje, ndërsa në Qipro, përveç me Ermis, kishte luajtur edhe me EN Paralimniou, transmeton “infOSport.mk”.

Sa i përket futbollit vendor, 33-vjeçari përveç me Shkëndijën, ka qenë edhe pjesë e Renovës si dhe dy skuadrave kërçovare, Vëllazërimit dhe Napredokut.

Me 167 gola të shënuar, ai mban rekordin absolut në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, si golashënuesi më i mirë, ndërsa me fanellën e Shkëndijës ka arritur të shënojë më shumë se 100 gola.

 

 

Leave a Reply