Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova sot mësojnë rivalët për Eliminatoret e Botërorit, “Qatar 2022”

Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova sot do të mësojnë kundërshtarët për ndeshjet eliminatore të Botërorit të vitit 2022, që do të mbahet në Katar.

Në orën 18:00, në Cyrih të Zvicrës, do të  hidhet shorti i eventit madhor të pas dy viteve, që do të zhvillohet, ndryshe nga herët e tjera, në dimër.

Janë 54 përfaqësuese, të ndara në 6 vazo të ndryshme, që do të formojnë gjithsej 10 grupe. Pesë grupe do të formohen me nga gjashte ekipe ndërsa pesë të tjera do të kenë nga pesë skuadra.

Kuptohet që në vazon e parë janë përfaqësueset që do të jenë kokë grupi. Ndarja në vazo është bërë sipas koeficientit që ka çdo skuadër në bazë të paraqitjeve në eliminatoret e fundit.

Maqedonia dhe Shqipëria ndodhen në vazon e katërt dhe teorikisht mund të kenë një ose dy kundërshtarë më të dobët në letër në grup, varet nga shorti (nëse do të jetë në një grup me pesë apo me gjashtë skuadra).

Ndërkohë Kosova ndodhet në vazon e pestë, që do të thotë se teorikisht do të ketë kundërshtarë më të fortë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të jenë pjesë e një grupi me Shqipërinë, apo edhe me Maqedoninë.

Për shkak të tensioneve politike, do të shmanget prania në të njëjtin grup e Kosovës me Serbinë, Rusinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Rusia gjithashtu nuk mund të ketë kundërshtare Ukrainën apo Armenia Azerbajxhanin.

Edhe Spanja e Gjibraltari nuk mund të shortohen në të njëjtin grup.

Eliminatoret e “Katar 2020” do të nisin më 25 mars të vitit të ardhshëm dhe do të mbyllen më 16 nëntor. Kuptohet që kalendari për shumë përfaqësuese europiane do të jetë tepër i ngjeshur gjatë vitit 2021 pasi në verë do të zhvillohen finalet e Euro 2020, event që u shty një vit për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Formula e kualifikueseve

10 fituesit e grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës 2022. Këtyre do t’iu shtohen edhe 3 skuadra, që do të arrijnë të fitojnë “play-off”-in, në të cilin do të marrin pjesë 10 vendet e dyta  si dhe dy ekipe që vijnë nga Liga e Kombeve.

“Play off”-et do të luhen me një ndeshje të vetme në dy raunde.

Datat e ndeshjeve:
24-25 mars 2021 (raundi i 1-rë)
27-28 mars 2021 (raundi i 2-të)
30-31 mars 2021 (raundi i 3-të)
1-2 shtator 2021 (raundi i 4-të)
4-5 shtator 2021 (raundi i 5-të)
7-8 shtator 2021 (raundi i 6-htë)
8-9 tetor 2021 (raundi i 7-të)
11-12 tetor 2021 (raundi i 8-të)
11-13 nëntor 2021 (raundi i 9-të)
14-16 nëntor 2021 (raundi i 10-të)
24-25 mars 2022 (ndeshjet e “play off”, raundi i parë)
28-29 mars 2022 (ndeshjet e “play off”, raundi i dytë)

 

Leave a Reply