Punë e kryer, Zhunior do luaj në Superligën shqiptare

Stenio Zhunior njëjtë sikurse bashkëkombasi dhe njëherit ish bashkëlojtari i tij te Shkëndijës, Viktor Nildo Xhufo, është rikthyer për të luajtur në futbollin ballkanas. Për dallim nga Xhufo, i cili pranoi të luaj në Slloveni me ekipin e Koper, Stenio Zhunior, për herë të parë në karrierën e tij do të luaj në Superligën shqiptare. Braziliani 29-vjeçar ka pranuar ofertën e Partizanit, edhe pse në garë për shërbimet e tij ishte edhe Kukësi.

Gjithsesi duket se oferta e “demave të kuq” ka qenë më bindëse dhe Zhunior do të jetë përforcimi i parë i Partizanit.

Sezonin e fundit Zhunior ishte pjesë e FC Riga në Letoni, duke u aktivizuar në 11 ndeshje. 29-vjeçari ka shënuar dy gola, ndërkohë që nuk duhet harruar që ishte lojtar i lirë që në muajin gusht.

Në të shkuarën Stenio Zhunior ka luajtur edhe në Bullgari me Liteks Loveç dhe pas një sezoni te Pelisteri kaloi te Shkëndija e Tetovës, ku edhe fitoi dy herë titullin kampion në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në vitin 2016-të i njëjti ngriti lartë edhe Kupën e Maqedonisë.

Me Shkëndijën Zhunior ka zhvilluar gjithsej 196 ndeshje, duke regjistruar 45 gola dhe 54 asistime.

Leave a Reply