Plotë 6 largime nga Feronikeli!

Feronikeli prej dje edhe zyrtarisht ka nisur fazën përgatitore, teksa kryetrajneri i kësaj skuadre Klodian Duro ka mbajtur fjalimin dhe seancën e parë stërvitore për stinorin pranveror të kampionatit.

Në dispozicion të Duros ishte edhe përforcimi më i fundit i kësaj skuadre Damir Kojasheviç, një ish futbollistë i Vardarit, ndërkohë që kanë munguar gjashtë futbollistët e suspenduar nga stinori vjeshtor, mëson Gazeta “Sheshi”.

Fjala është për mbrojtësit Alban Pnishi, Viktor Kuka dhe Ozbej Kuhar, për mesfushorët Argjend Bardhi dhe Ard Qorri, si dhe sulmuesin Marcelei Cezar – Santos, i cili ka ‘firmosur’ për skuadrën e Arbërisë.

Në seancën stërvitore është paraqitur edhe futbollisti Bedri Greca, i cili ka një takim me drejtuesit e klubit për të vendosur përfundimisht për të ardhmen e tij.

Në skuadrën nga “Rexhep Rexhepi” gjatë ditëve në vijim priten të zbarkojnë disa futbollistë nga jashtë vendit.

Ndryshe Feronikeli pritet që fazën përgatitore ta zhvillojë në Antalia të Turqisë.

Leave a Reply