Mevlan Adili sherr me trajnerin dhe kapitenin e Skënderbeut! (VIDEO)

Ndeshja e javës së katërt në Superligën shqiptare midis Skënderbeut dhe Vllaznisë është mbyllur në barazimin pa gola. Doli të jetë kjo një përballje pa shumë histori sa u përket rasteve të krijuara, teksa që në pjesën e parë u vu re një mbrojtje hermetike nga të dyja skuadrat.

Në mungesë të rasteve, ajo që do të mbahet mend nga këto 90 minuta ishte momenti i sherrit pas përfundimit të pjesës së parë mes shkupjanit Mevlan Adili të Vllaznisë dhe kapitenit të Skënderbeut, Zguro, e ku u inkuadrua edhe trajneri i vendasve, Memelli, i cili dëshironte te qetësonte gjakrat.

Megjithatë mbrojtësi i Vllaznisë ka reaguar keq ndaj trajnerit të Skënderbeut me kapjet fizike dhe ka pasur ofendime.

Teksa ekipet u kthyen për të zhvilluar pjesën e dytë, arbitri kryesor Jorgji i tregoi Adilit kartonin e verdhë, e që njëkohësisht ishte i dyti dhe duhej të linte fushën e blertë. Mbrojtësi i Vllaznisë ka vazhduar me ofendimet karshi Memellit, ndërsa duhej ndërhyrja  e personave të tjerë në fushën e blertë për të qetësuar situatën.

Pas këtij ndëshkimi Vllaznia nuk kishte shumë forca reagimi dhe Skënderbeu nga ana tjetër u kënaq me pikën e marrë.

Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Skënderbeut Memelli foli edhe për tollovinë e krijuar në fundin e pjesës së parë: “Hyra mes Zguros dhe Adilit për të shuar debatin. Mora ofendim nga lojtari i Vllaznisë, por gjithsesi janë nerva loje, jemi profesionistë. Arbitri na ndëshkoi me karton të verdhë të gjithëve, për ne ishte i pari, për Adilin ishte i dyti. E thirra edhe tani Adilin, por ishte i mërzitur. Më ka ndodhur edhe mua si futbollist kjo gjë, i uroj më të mirat këtij djalit. I thashë që: “Mevlan hyra brenda se këtë e mbaj unë”. Ia di kokën Zguros prandaj. Këto debate ndodhin edhe në Premierligë, ka ndodhur me Lampard dhe stafin e Liverpulit. Jo më tek ne që jemi popull gjaknxehtë. Po e bëj unë ndjesën i pari për atë që ndodhi. E bëra më tepër ndarjen pasi kam eksperiencë të hidhur me Zguron, e di atë dhe duhet ta ruaja”.

Leave a Reply