Ky është orari i ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve

UEFA e ka publikuar orarin e ndeshjeve për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, të cilat do të zhvillohen në qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm.

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë këtë edicion në Ligën C me 2 qershor  si mysafire kundër Estonisë ose Qipros.

Këto dy ekipe në muajin mars do të luajnë ndeshjen e ‘play-aut’-it dhe fituesi i këtij dueli do t’i vazhdojë garat në Ligën C, derisa humbësi në Ligën D.

Muaji qershor do të jetë i ngjeshur për “Dardanët”, ngase do t’i luajnë edhe tri ndeshje tjera.

Më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presin Greqinë, kurse më 9 qershor do të luajnë kundër Irlandës së Veriut.

Ndeshjet e këtij muaji Kosova i mbyll si mysafire në duel me Greqinë, më 12 qershor. Ndërkaq, në vjeshtë Kosova fillimisht luan si mysafire e Irlandës së Veriut, më 24 shtator, derisa tre ditë më vonë në shtëpi e pret Qipron ose Estoninë.

Fituesi i Grupit C2 do të promovohet në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Leave a Reply