Mungoi përballja mes tyre në fushë, por Rashica i dhuroi fanellën Granit Xhakës!

Arsenali të dielën bëri edhe një tjetër paraqitje të madhe, duke mundur Noruiç Sitin me shifrat 5:0 në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit anglez.

Në këtë përballje te “topçinjtë” që nga minuta e parë deri në të fundit luajti mesfushori shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka. Megjithatë te Noruiçi mungoi ylli i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, i cili po vuan nga një lëndim, ashtu që nuk bënte pjesë në mesin e futbollistëve të grumbulluar për këtë ndeshje.

Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes nuk mungoi takimi mes dy yjeve shqiptare. Madje Rashica i dhuroi fanellën e tij të Noruiç Sitit, Granit Xhakës.

Këtë dhurat të veçantë Granit Xhaka e ndau me ndjekësit e tij në Instagram, duke e falënderuar njëkohësisht Rashicën.

“Më vjen mirë që të pashë, vëlla”, – shkroi Xhaka në llogarinë e tij në Instagram.

Leave a Reply