Goli i Lamallarit në frymën e fundit i mohoi fitoren Shkëndijës (VIDEO)

Shkëndija sezonin e ri e ka nisur me barazim, kjo edhe për fajin e shkupjanit Arsim Lamallari, i cili në minutat shtesë arriti që të tund rrjetën e Zahov dhe ti sigurojë një pikë skuadrës së Sileksit në transfertën në Strugë, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija për shkak suspendimit të terrenit në Tetovë, por edhe për shkak anulimit të ndeshjes së xhiros së parë kundër Skopjes, sot në qytetin e Strugës kundër Sileksit zhvilloi ndeshjen e parë të sezonit të ri, që në fund u mbyll me shifrat, 1:1.

Fillimi i takimit nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi Shkëndija avansoi vetëm pas 17 minutave lojë, falë golit të shënuar nga ana e talentit, Dashmir Elezi.

Ky i fundit nisi ndeshjen që nga minuta e parë në repartin ofenziv, bashkë edhe me brazilianin Gonçalves, si dhe me Doriev, derisa Dita – Bilali – Shala manovronin në mesfushë, para katërshes mbrojtëse, Sadriu-Cake dhe Murati-Velija, që vepronin në krahë.

Pra një formacion krejt ndryshe, nga ai që ishim mësuar ta shohim në ndeshjet europiane, ndërsa ajo që binte në sy më shumë, ishte se në bankinë nuk figuronin aspak emrat e dy sulmuesve kryesor, Stojanovski-Gurri.

Në pjesën e dytë, Shaqiri vendosi që në lojë të inkuadrojë futbollistët si Florent Ramadani, Zani Nazifi, Ferhan Hasani dhe Mexhit Neziri, mirëpo asnjëri prej tyre nuk solli ndryshimin, ndërsa në anën tjetër Sileksi sikurse priste momentin e duhur për të shënuar dhe për të goditur Shkëndijën, e që realisht i’a arritën, edhe atë në momentet më të papërshtatshme, pasi shënuan në minutat shtesë të takimit, kur më nuk kishte edhe kohë që Shkëndija të kundërpërgjigjet.

Mbrojtësi shqiptarë i Sileksit, Arsim Lamallari në minutën e dytë shtesë të takimit me kokë shënoi për 1:1, ashtu që fitoren e parë të sezonit, “kuqezinjtë” nga Tetova do ta kërkojnë në mesjavë kundër Skopjes. (infOSport.mk)

Leave a Reply