Vardari angazhon ish reprezentuesin që së fundmi luante me Shkëndijën dhe FC Shkupin

Vardari, i cili vazhdon të garojë në Ligën e Dytë, gjatë ditës së sotme ka prezantuar një ndër përforcimet më të bujshme të merkatos së verës, ish reprezentuesin e Maqedonisë, Kire Markoski.

Sulmuesi 27-vjeçar, i cili ka 5 paraqitje dhe 1 gol të shënuar me përfaqësuesen A të Maqedonisë, si dhe 6 gola në 16 paraqitje me përfaqësuesen shpresa të vendit, përfshirë këtu edhe Europianin e vitit 2017-të për të rinj, me ekipin e Vardarit ka nënshkruar kontratë një vjeçare.

Markoski është një emër i njohur për futbollin vendor, pasi i njëjti në garat elitare numëron më shumë se 150 paraqitje, derisa ka fituar një titull kampioni dhe dy trofe të Kupës.

Në arenën ndërkombëtare i njëjti ka luajtur me AEL Limasol në Qipro dhe Spartak Trnavën në Sllovaki, ku edhe kishte fituar Kupën.

Ndryshe në futbollin vendor, Markoski së fundmi ishte pjesë e Shkëndijës, ndërsa gjithashtu kishte provuar veten edhe me FC Shkupin, Akademia Pandevin, Rabotniçkin dhe Makedonija GJ.P. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply