Golat nga super ndeshja e Kosovës kundër Qipros (VIDEO)

Përfaqësuesja e Kosovës demoloi Qipron me rezultatin 5:1, duke mbyllur kështu me fitore edicionin 2022/23 në Ligën e Kombeve.

“Dardanët” e dominuan në tërësi ndeshjen, teksa pjesën e parë e mbyllen me dy gola epërsi, me golat e shënuar nga Florent Muslija (22’) dhe Donat Rrudhani (45+1’).

Kosova e filloi furishëm edhe pjesën e dytë, duke shënuar vetëm pas 60 sekondave jo të plota, me Elbasan Rashanin autor. Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 52-të, Vedat Muriqi realizoi golin e tij të parë në këtë takim, duke ngritur epërsinë e Kosovës në 4:0.

Mbrojtësi Valentin Roberge (81’) e shënoi golin e nderit për miqtë, teksa Muriqi me golin e tij të dytë personal në minutën e 84-të vulosi fitoren e “Dardanëve”, që edhe edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të garojë në Ligën “C”, aty ku gjithashtu do të luaj edhe përfaqësuesja e Maqedonisë.

Kosova e mbylli këtë edicion si e dyta në grupin 2 të Ligës “C” me 9 pikë, 6 më pak se Greqia e vendit të parë, që edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën “B”. (infOSport.mk)

Leave a Reply