Berat Imeri: Me meritë mundëm Vardarin

Fitorja e së dielës ndaj Vardarit, ishte një fitore shumë e rëndësishme për Voska Sport, e mbi të gjitha shumë e merituar, bazuar në atë që aktorët shfaqën në fushën e blertë në stadiumin “Burimet e Biljanës” në Ohër, shkruan “infOSport.mk”.

Kjo fitore ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Berat Imeri, edhe pse e njëjta erdhi vetëm në minutat shtesë.

“Fitore shumë e rëndësishme, fitore me meritë, fitore e madhe kundër një kundërshtari i cili kishte ardhur në Ohër vetëm për tu mbrojtur. Ne deri në momentin e kartonit të kuq ishim shumë mirë, ku na mungonte vetëm goli. Pas kartonit të kuq ishim disi jo si duhet, pasi në ato momente mendoj se na mungoj edhe koncetrimi. Pastaj pjesa e dytë ishte normale, lojë vetëm në një portë, për arsye se kundërshtari vazhdoi me filozofinë e njëjtë, duke u mbrojtur, mirëpo në fund ja arritëm qëllimit duke shënuar dy gola, që edhe na e siguruan fitoren. Meritat për këtë fitore mund të them lirisht se shkojnë për gjithë ekipin, që edhe njëherë tjetër tregoi grindë, shumë luftë dhe vetëbesim, që në fund dha edhe rezultatin e duhur” – është shprehur strategu tetovar për faqen zyrtare të Voska Sport.

Skuadra shqiptare nga Ohri pas 25 xhirove të zhvilluara në Ligën e Dytë, renditet në pozitën e parë me 62 pikë, 4 më shumë se Gostivari i vendit të dytë, derisa Vardari tashmë mban pozitën e tretë me 56 pikë. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply