Një pjesë e dytë për tu harruar sa më shpejtë, nga 2:0 Maqedonia humb 3:2 ndaj Ukrainës! (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll edhe përkundër avantazhit prej dy golave që kishte gjatë pjesës së parë, falë golave të shënuar nga Enis Bardhi (31’) dhe Elif Elmas (39’), në fund pësoi disfatë 2:3 nga Ukraina, njofton “infOSport.mk”.

Pas 45 minutave të para të shkëlqyeshme, ku përveç golave të shënuar, “verdhekuqtë” dominuan edhe në lojë, në pjesën e dytë dominim absolut i ukrainasve, që në fund arritën që të përmbysin rezultatin dhe nga Shkupi të largohen me fitore 3:2.

Si duket trajneri Sergej Rebrov kishte bërë zëvendësimet e duhura në fillimin e pjesës së dytë, me inkuadrimin në lojë të Vanat dhe Konoplya, me këtë të fundit që në minutën e 67-të shënoi golin e dytë për Ukrainën, duke barazuar në ato momente shifrat në 2:2, pas atij goli të parë të shënuar në minutën e 62-të nga Zabarnyi.

Golin e tretë dhe të fitores për Ukrainën përballë Maqedonisë, e realizoi Tsygankov në minutën e 83-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Mudryk.

Për Maqedoninë ishte kjo disfata e parë në kuadër të grupit “C” eliminatorë, pas asaj fitore në xhiron e parë kundër Maltës, ndërkohë për Ukrainën fitorja e parë, me ç’rast këto dy kombëtare aktualisht ndajnë pozitat 3 dhe 4 në grup, pas dy kombëtareve gjigande, Anglisë dhe Italisë.

Anglia ka efekt të qindtpërqindtë, duke regjistruar 3 fitore nga po aq ndeshje dhe me 9 pikë kryeson grupin, duke lënë pas edhe Italinë e Mançinit, që gjithashtu ka 3 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply