Ekskluzive, Voska Sport angazhon mesfushorin e Sutjeskës që deri dje luante në Ligën e Konferencës

Voska Sport si duket ende nuk e ka mbyllur listën e përforcimeve për sezonin e ri 2023/24. Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se skuadra shqiptare nga Ohri ka arritur marrëveshje me mesfushorin difenziv, Jovan Nikoliç, i cili sezonin e ri e nisi me garat në Europë me skuadrën e Sutjeskës, pjesë e së cilës skuadër është nga janari i këtij viti.

Megjithatë, Nikoliç me Sutjeskën ka luajtur edhe në të kaluarën, në dy periudha të ndryshme, madje pikërisht te kjo skuadër kishte nisur edhe karrierën e tij profesionale.

Nikoliç luan si mesfushor difenziv, ndërsa vlen të theksohet se në të kaluarën kishte pasur një aventurë shumë të shkurtër edhe te Partizani i Tiranës.

Gjatë karrierës së tij, përveç në vendlindjen e tij në Mal të Zi, gjithashtu kishte luajtur edhe në Serbi dhe Kazakistan.

Përvoja e tij e madhe, si në futbollin ballkanas, por edhe në garat europiane, ku numëron 21 ndeshje, përfshirë këtu edhe dy ndeshjet e edicionit aktual me Sutjeskën kundër skuadrës së Cosmos nga San Marino si dhe ndeshjen kundër Santa Coloma, do të jetë e mirëseardhur për skuadrën e Voska Sport, që këtë vit debuton në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, e ku ka arritur të sjellë disa futbollistë mjaft cilësorë, sidomos nga Mali i Zi, prej ku vjen edhe trajneri i ri Miljan Radoviç.

Kujtojmë sezoni i ri në Ligën e Parë të Maqedonisë starton me 6 gusht, ndërsa Voska Sport sezonin do ta hap si vendas me duelin kundër Shkëndijës. (infOSport.mk)

Leave a Reply