Fitore e Voska Sport në regjinë e Marushiç ndaj Bregallnicës (VIDEO)

Fitore 2:0 në ndeshjen ndaj Bregallnicës, që njëherit është e dyta këtë edicion në Ligën e Parë për skuadrën e Voska Sport, njofton “infOSport.mk”.

Fitorja e sotme ndaj Bregallnicës shkoi në regjinë e sulmuesit malazez, Aleksa Marushiç, i cili shënoi që të dy golat, nga një në secilën pjesë.

Golin e parë të takimit, Marushiç e realizoi në minutën e 14-të.

Gjithçka nisi nga krahu i majtë, aty ku Stijepoviç pasoi në afërsi për Xhemil Jahijin, i cili nuk vonoi topin dhe vetëm se e servoi për Aleksa Marushiç, i cili nuk fali dhe në ato momente shënoi një gol të bukur për rezultat 1:0.

Në minutën e 32-të, pas harkimit të Boban Georgiev nga rivënia e këndit, Jovan Nikoliç mund të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo goditja e tij me kokë përfundoi vetëm në rivënie fundore.

Në momentet e fundit të pjesës së parë, Voska Sport shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve nga Shtipi, edhe atë pas një aksioni model, mirëpo i njëjti me të drejtë u anulua për shkak pozitës jashtë loje.

Edhe pjesa e dytë nisi me një tentativë të ekipit vendas, kur pas një goditje të Koçoskit nga distanca, topin u devijua në rivënie nga këndi, nga e cila më pas Medin Bajrami shumë pak mungonte që të shënojë edhe golin e dytë në rrjetën e Bregallnicës.

Pasuan disa tentative tjera me anë të Koçoskit dhe Marushiç, mirëpo pa sukses, krejt kjo vetëm deri në minutën e 87-të, kur malazezi sërish doli në skenë dhe në manirin e golashënuesve të mëdhenj shënoi një super gol, duke paraboluar portierin mysafir për rezultat 2:0.

Marushiç bëri gjithçka mirë, pasi fillimisht fitoi duelin me mbrojtësin e fundit të Bregallnicës, që më pas me një goditje precize nga jashtë zonës së rrezikut të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të tretin këtë edicion, në të cilin Voska Sport ka zhvilluar 5 ndeshje dhe ka tubuar 7 pikë, duke u renditur në pozitën e 7-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply