Milevski: Ndeshja e nesërme kundër Italisë është krejt ndryshe nga ajo në Palermo

Përfaqësuesja e Maqedonisë të shtunën në arenën “Todor Proeski” do të mirëpret Italinë në një nga ndeshjet e vlefshme për kualifikim në Europianin e vitit 2024. Italia aktualisht mbron titullin e kampionit të Europës, mirëpo duhet theksuar se kjo kombëtare pikërisht për fajin e Maqedonisë mungoi në Botërorin e fundit.

Maqedonia në ndeshjen gjysmëfinale të balotazhit, për kualifikim në Botërorin e vitit 2022 në Katar, kishte mundur “axurrët” midis Palermos me rezultatin minimal 1:0,  falë golit të shënuar nga Aleksandar Trajkovski.

Megjithatë për seleksionuesin Bllagoja Milevski, ndeshja e nesërme është krejtësisht ndryshe dhe se futbollistët e tij duhet të jeni të disciplinuar dhe shumë të përgjegjshëm, me qëllim që në fund të shpresojnë në një rezultat pozitiv.

“Kur luani me një kundërshtarë si Italia, nuk mund të kesh presion rezultati. Megjithatë, dëshira për fitore gjithnjë është prezente, këtu nuk ka dilemë se ajo ekziston. Dy ndeshjet e fundit i takojnë së kaluarës, Ukraina dhe Anglia janë pas nesh, dhe nuk duhet të rikthehemi. Italia vjen në Shkup, do të arrijë me një seleksionues të ri, një strateg mjaft cilësor, i cili edhe ju e dini se ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm me Napolin. Patjetër që duhet të jemi të disciplinuar dhe taktikisht të përgjegjshëm. Të vihemi që të gjithë në funksion të skuadrës, vetëm në atë mënyrë do të mund të bëjmë ndonjë gjë. Që prej kur se unë jam seleksionues, këtë gjë në pjesën më të madhe të ngjarjeve e kemi realizuar. Fryma e ekipit, loja ekipore na ka sjellë deri te suksesi. Janë po të njëjtit djem, të njëjtit lojtarë, dhe ata mund të përsërisin një gjë të tillë. Në asnjë moment ndeshja kundër Italisë në Palermo nuk është marrë si përgatitje për këtë ndeshje. Ajo ishte një ndeshje balotazhi, me një kundërshtarë tjetër për sa i përket lojës, mirëpo edhe një seleksionues tjetër. Kjo është një ndeshje krejtësisht e re, me energji të re, momentin i ri. Energjia dhe motive nuk na mungojnë.” – është shprehur seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Bllagoja Milevski.

Leave a Reply