Metodi Maksimov i Shkëndijës: Kolektivi është kualiteti më i madh i përfaqësueses U21

Përfaqësuesja e Maqedonisë deri në moshën 21 vjeçare sot edhe zyrtarisht ka nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikues të tetorit.

Skuadra e drejtuar nga Dragi Kanatllarovski do të përballet me kombëtaren e Moldavisë në xhiron e tretë të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2025.

Ndeshja kualifikuese kundër Moldavisë do të luhet më 17 tetor, në stadiumin Zimbru, në Kishinau, me fillim nga ora 17:00 me orën lokale.

Një nga lojtarët kyç të kësaj gjenerate të Maqedonisë dhe anëtar i Shkendijës, Metodi Maksimov dha mendimin e tij për sfidat e ardhshme të përfaqësueses shpresa.

“Na pret një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë si mysafir kundër një kombëtare shumë të papërshtatshme si Moldavia. Kemi kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje dhe për të analizuar mirë lojën e kundërshtarit. Moldavia do të luajë në shtëpi dhe sigurisht që do të jetë shumë e motivuar për tu paraqitur sa më mirë para tifozëve të vetë, mirëpo edhe neve kemi matematikat dhe qëllilmet tona dhe sigurisht që do të përpiqemi të luajmë sa më mire që mundemi dhe të sigurojmë një rezultat pozitiv.”

 “Kemi luajtur dy ndeshje të shkëlqyera kundër Suedisë dhe Holandës, në të cilat kemi shënuar një fitore dhe një humbje. Na vjen shumë keq për ndeshjen ndaj Holandës, ndeshje në të cilën krijuam shumë mundësi shënimi, mirëpo që nuk i realizuam. Stërvitjet do t’i shfrytëzojmë për të punuar edhe më shumë, me qëllim për të përmirësuar realizimin në ndeshjet e rradhës”.

“Tek përfaqësuesja mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer dhe një energji pozitive. Ne jemi të bashkuar si skuadër, e cila posedon shumë cilësi. Këtë e kemi dëshmuar edhe në ndeshjet e kaluara dhe shpresoj se do të vazhdojmë të luajmë në nivel të lartë edhe në ndeshjet e ardhshme”.

 “Kolektivi i shkëlqyer është tipari më i madh i këtij ekipi. Kjo përfaqësuese e Maqedonisë mund të garojë dhe të luftojë për një vend sa më lartë në renditje në këto kualifikime”

Pas dy xhirove të para kualifikuese, Maqedonia ka fituar 3 pikë. Në start, të përzgjedhurit e seleksionuesit Dragi Kanatllarovski festuan fitore ndaj Suedisë në terren mysfair, ndërsa pa meritë pësuan disfatë në shtëpi në kuadër të xhiros së dytë kundër Holandës.

Leave a Reply