Kosova me shumë mungesa, por synon fitoren e parë në kualifikime kundër Andorrës

Përfaqësuesja e Kosovës mbrëmë ka zhvilluar stërvitjen e fundit në “Andorra National Stadium”, aty ku të enjten me fillim nga ora 20:45 do ta luajë ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit “I”, e vlefshme për kualifikimet e “Euro 2024”.

Dardanët në këtë ndeshje hyjnë me mungesa të rëndësishme, pasi për shkak të pezullimit mungon sulmuesi kryesor, Vedat Muriqi, derisa për shkak të lëndimeve me ekipin nuk kanë arritur të bashkohen Amir Rrahmani, Edon Zhegrova, Leart Paqarada, Shkëlqim Vladi dhe Ismajl Beka.

Sidoqoftë, atmosfera në kampin e Dardanëve është e mirë, derisa përzgjedhësi Primozh Gliha pret nga lojtarët që ka në dispozicion të japin më të mirën, derisa ata që kanë pasur më pak hapësirë deri më tani do të kenë mundësi të tregojnë vlerat e veta.

Në konferencën për media para këtij takimi Gliha ka thënë se Andorra është kundërshtar i papërshtatshëm, me futbollistë që kanë mentalitet të fortë.

“Luajmë me Andorrën që është një ekip shumë i fortë. Gjatë karrierës sime si trajner në ekipe të ndryshme kam luajtur disa herë kundër Andorrës dhe nuk ka qenë aspak lehtë. Është shumë vështirë të luhet ndaj Andorrës për shkak të mentalitetit të fortë të futbollistëve dhe kjo mund të na komplikojë gjërat. Por, sido që të jetë, ne do të jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe do të shohim se si do të shkojë loja”, – është shprehur Gliha.

Ndërkohë, sulmuesi Albion Rrahmani, i cili po kalon formë të shkëlqyeshme te Rapidi i Bukureshtit do të ketë mundësi për ta dëshmuar veten në ndeshjen e nesërme.

“Na pret një ndeshje e vështirë, por ne lojtarët do të japim gjithçka në fushë dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë do të marrim edhe fitoren. Do të mundohem ta ndihmoj ekipin të arrij objektivin që ka, për ta fituar ndeshjen. Kjo fitore do të jetë e rëndësishme për të filluar një cikël të ri me rezultate dhe shpresoj ta arrijmë këtë”, ka theksuar Rrahmani.

Në ndeshjen e parë, Kosova kishte barazuar 1:1 kundër Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndonëse gjatë tërë ndeshjes ishte dominuese.

Leave a Reply