Kapiteni legjendar i Futsal Shkupit, Arsim Fazliu i jep fund karrierës së tij aktive

Kapiteni legjendar i Futsal Shkupit, Arsim Fazliu, pas shumë sukseseve dhe trofeve, vendosi t’i japë fund karrierës së tij aktive në futsal, njofton “infOSport.mk”.

Fazliu ka zhvilluar plotë 231 ndeshje me petkun e Futsal Shkupit, duke regjistruar më shumë se 50 gola, ndërsa ishte një nga ata themeluesit e këtij klubi, që u krijua në vitin 2015-të.

Fazliu me klubin e zemrës luajti edhe në Ligën e Dytë, duke ndihmuar këtë skuadër që në edicionin e parë garues të shpallet kampion dhe të ngjitet në Ligën e Parë, aty ku më pas shkroi historinë, duke u shpallur katër herë kampion i Maqedonisë, ndërsa njëherë fitoi edhe Kupën e Maqedonisë.

“Ishte një udhëtim i mahnitshëm dhe i paharrueshëm. Mund të them se ky është vendimi më i vështirë në karrierën time. Futsal Shkupi për mua ka qenë familja e dytë, mirëpo ja që erdhi koha ti them lamtumirë, duke u larguar si lojtar aktiv. Megjithatë Futsal Shkupi gjithnjë do të jetë në zemrën time, do të jem pranë këtij klubi gjatë gjithë jetës sime, pasi thjeshtë nuk mund të paramendoj veten të jem larg tyre. Me këtë klub, ku vërtetë ishim një familje e madhe, kam arritur sukseset më të mëdha që do i dëshironte çdo futsalistë në karrierën e tij, ndaj largohem me kokën lartë” – u shpreh fillimisht kapiteni Arsim Fazliu, i cili nuk harron pa përmendur këtu edhe familjen e tij dhe shokët për rreth që ishin mbështetësi më i madh gjatë gjithë këtyre viteve.

“Falënderojë familjen time që çdoherë më ka përkrahur në këtë rrugëtim. Vërtetë pa ata nuk do mund ti arrija këto rezultate dhe suksese. Nuk mund të harrojë këtu edhe shokët e mi, me të cilët kemi qenë që nga dita e parë bashkë, sinqerisht jam shumë i lumtur që kam pasur një familje të tillë të ngushtë, ndaj i falënderoj që të gjithë për përkrahjen e tyre të parezervë. Si kapiten shumë vjeçar i kësaj skuadre dua të falënderoj secilin që ka dhënë kontribut për këtë klub, i cili nga një shoqëri e shëndoshë që e kishim nisur këtë ëndërr, u bë që i njëjti të njihet edhe në kartën europiane. Mos të harrojmë se vite më parë ishim edhe në mesin e 16 skuadrave më të mira në Europë. Sukses i jashtëzakonshëm ky, që duhet të na bëjë krenar gjithë neve” – shprehet Fazliu, i cili është i lumtur që skuadrën megjithatë e lë në duar të sigurta. Futsal Shkupi edhe sezonin e ri e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa kjo gëzon vetë Fazliun, që ëndërron ta sheh sërish ekipin e tij kampion, por tashmë si një nga tifozët më të flaktë.

“Ekipi ynë e nisi mbarë edhe këtë sezon, andaj shpresoj që të vazhdojnë në këtë ritëm deri në fund të sezonit. Titulli kampion është synimi ynë, këtë nuk e fshehim aspak, ndaj besoj fuqishëm që Futsal Shkupi ka cilësi dhe kualitet të shpallet sërish kampion, që do ishte një tjetër ëndërr e realizuar për mua, për të parë këtë klub kampion në rolin e tifozit më të flaktë” – përfundoi intervistën për “infOSport.mk”, Arsim Fazliu, i cili gjatë karrierës së tij profesionale kishte mbrojtur edhe ngjyrat e Juventus Seravës.

Lojtar si Arsim Fazliu, me vyrtyte të larta dhe që për shumë vite ka qenë një shembull në futsalin vendor, i nevojiten ligës tonë, për më tepër edhe si model për gjeneratat e reja. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply