Ardian Nuhiu dhe Shkëndija ndërprejnë bashkëpunimin

Skuadra e  Shkëndijës nga Tetova, ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin shkupjan, Ardian Nuhiu. Vetëm 6 muaj zgjati dashuria mes Nuhiut dhe klubit tetovar, që ishte zyrtarizuar verën e kaluar, edhe atë për dy vite e gjysmë kurorëzim.

“Klubi i Futbollit Shkëndija përmes kësaj komunikate njofton opinionin publik se, pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe dialogut të hapur, ka arritur në një marrëveshje të dyanshme për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Ardian Nuhiu. Jemi mirënjohës ndaj trajnerit Nuhiu dhe stafit të tij për kontributin e dhënë për sakohë ishin pjesë e jona, duke u uruar suksese në të ardhmen e tyre profesionale.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Shkëndija.

Nuhiu timonin e Shkëndijës e morri me datë 5 qershor të këtij viti, dhe e njëjta ishte valide deri me 30 qershor të vitit 2025. Megjithatë pakënaqësitë e drejtuesve dhe tifozëve që skuadra e tyre e mbylli stinorin vjeshtorë në pozitën e tretë, bënë që bashkëpunimi të prishet shumë më herët.

Nuhiu, Shkëndijën e udhëhoqi në gjithsej 20 ndeshje, duke regjistruar 11 fitore 5 barazime dhe 4 disfata. Me shkupjanin si kryetrajner, skuadra tetovare u eliminua që në raundin e parë të Ligës së Konferencës, ndërsa gjithashtu ishte eliminuar edhe nga Kupa e Maqedonisë nga Rabotniçki, që në fazën e 1/8 së finales.

Kujtojmë, Nuhiu para se të merrte drejtimin e Shkëndijës, me mjaft sukses udhëhoqi Dritën e Gjilanit nga Kosova, me të cilën skuadër ishte shpallur edhe kampion. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply