Ekskluzive, FC Shkupi angazhon sulmuesin e përfaqësueses së Ishujve Faroe

FC Shkupi me sukses kreu fazën e përgatitjeve në Turqi, aty ku zhvilloi edhe disa ndeshje miqësore, ndërsa tashmë kjo skuadër po vijon përgatitjet e fundit në Shkup, në pritje të stinorit pranveror, që startonë fundjavën që vjen.

Ndërkohë siç mëson ekskluzivisht “infOSport.mk”, pjesë e skuadrës nga Çairi në pjesën pranverore do të jetë edhe anëtari i përfaqësueses së Ishujve Faroe, Jóan Símun Edmundsson.

Bëhet fjalë për një lojtar sulmues, i cili me përfaqësuesen e Ishujve Faroe numëron 85 paraqitje dhe 8 gola të shënuar. Ai së fundmi ishte pjesë e skuadrës së KA Akureyri nga Islanda, ndërsa i njëjti pas vetes ka një karrierë të bujshme, duke luajtur madje edhe në Bundesligë me skuadrën e Arminia Bilefilld, edhe atë për tre vite të plota (2018-2021).

Ai brenda kësaj periudhe me këtë skuadër ishte shpallur kampion në Bundesliga II, duke ndihmuar këtë skuadër për tu inkuadruar në Bundesligë, aty ku numëron 5 ndeshje dhe 1 gol të shënuar. Ndryshe, kontributi i tij te Arminia Bilefilld, kur kjo skuadër garonte në Bundesliga II, ishte i jashtëzakonshëm, pasi Edmundson kishte regjistruar 46 paraqitje, 9 gola dhe 7 asistime.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Edmundson, përveç në vendlindjen e tij, në Ishujt Faroe, kishte provuar veten edhe në futbollin anglez, në Norvegji, në Gjermani, Islandë dhe Danimarkë, aty ku kishte kaluar gjithashtu 3 vite të plota, duke regjistruar 10 gola në 50 ndeshje të zhvilluara në Superligën daneze, si dhe 10 gola të tjerë në 34 ndeshje në Ligën e Dytë daneze.

Ndryshe gjatë karrierës së tij, Edmundson numëron gjithsej 217 ndeshje, 46 gola dhe 34 asistime. (infOSport.mk)

Leave a Reply