Emini: Superliga shqiptare në nivel më të lartë se ajo e Maqedonisë

Ish futbollisti i Shkëndijës dhe Renovës, Izair Emini, i cili aktualisht luan me skuadrën e Kukësit në Superligën shqiptare, ka folur edhe për dallimin mes dy kampionateve, atë të Shqipërisë ku luan tani dhe të Maqedonisë, ku ka luajtur më parë.

Sipas tij Superliga shqiptare është në nivel më të lartë, se ajo e Maqedonisë, duke pasur parasysh se për një gjë të tillë shumë kanë ndikuar edhe mediat, më konkretisht “Supersport” që të gjitha ndeshjet i transmeton drejtëpërdrejtë.

“Futbolli këtu është në nivel më të lartë se në Maqedoni, teksa këtu çdo ndeshje transmetohet direkt në Supersport, ndërsa atje nuk ndodh. Kampionati shqiptar është shumë më lart” – tha Emini në një prononcim për kanalin sportiv, “Supersport” në prag të derbi ndeshjes kundër Partizanit, ndeshje kjo që zhvillohet sot në ora 19:00.

Emini pritet që të startojë këtë ndeshje që nga minuta e parë në sulmin e Kukësit, bashkë edhe me kroatin Pejiç. Që të dy janë pjesë më e rrezikshme e skuadrës nga Verilindja e Shqipërisë,  që shpreson se në fund të kampionatit do të festojnë titullin e parë kampion në historikun e tyre.

Emini ka shënuar 8 gola këtë edicion, ndërkohë partneri i tij i sulmit, Pero Pejiç plotë 22 gola, duke përbërë kështu njërin ndër sulmet më të frikshme të Superligës Shqiptare.

Leave a Reply