Kallaba shënon për Vllazninë, shohin me sy ka Superliga (VIDEO)

Futbollisti shkupjan, Leonard Kallaba ka shënuar gol në ndeshjen që skuadra e tij, Vllaznia e Pozhoranit e zhvilloi sot në teren vendas përballë ekipit të Ballkanit në kuadër të javës së 26-të në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës, njofton “infOSport.mk”.

Ishte ky goli i dytë i shënuar nga ana e mbrojtësit shkupjan këtë edicion me fanellën e Vllaznisë, skuadër kjo e cila në fund u ndal në barazimin 2:2.

Kallaba realizoi golin e parë për skuadrën nga Pozhorani, duke barazuar rezultatin në 1:1. Goli i tij i shënuar në fillimin e pjesës së dytë u dha krahë futbollistëve vendas, të cilët vazhduan me sulmet e tyre, ku si rezultat erdhi edhe goli i dytë me autorë Ilirian Feratin. Megjithatë deri në mbyllje të takimit mysafirët nuk u dorëzuan dhe shënuan golin e barazimit, që do ju vlej shumë në katër ndeshjet e mbetura për të siguruar mbijetesën.

Në anën tjetër, Vllaznia edhe përkundër këtij barazimi, mbetet në pozitën e tretë, me gjasa reale që përmes ndeshjes së balotazhit të kërkojë një vend për në Superligë.

“Jemi asaj rruge. Vërtetë kemi një organizim të mirë në ekip dhe shpresoj të shfrytëzojmë një gjë të tillë. Është fakt që skuadrat nga Superliga kanë një përparësi të vogël,por mbi të gjitha presioni më i madh është mbi ata, ashtu që këtu neve e shohim rastin tonë” – tha enkas për “infOSport.mk”, ish futbollisti i Shkupit, Leonard Kallaba, i cili golin e shënuar sot ndaj Ballkanit, i’a dedikoi babait të tij, Avni Kallabës, i cili nga afër ndoqi këtë super ndeshje.

Ai gjithashtu foli edhe për 4 ndeshjet e mbetura, ku shpreson se në fund do ja arrijnë qëllimit për të mbetur në këtë pozitë ku ndodhen edhe tani, pozitën e tretë.

“Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 4 xhiro. Të shtunën përballë do të kemi, 2 Korrikun, një ekip shumë të mirë, të ri në moshë, vrapojnë shumë aktualisht ndodhen në pozitën e 5-të. Neve kemi 5 pikë më shumë se ata. Nëse ja dalim që të marrim një rezultat pozitiv ndaj tyre, që shpresoj dhe besoj se do ja dalim, atëherë lirisht mund të them se do ja arrijmë qëllimit që të ruajmë këtë pozitë në të cilën ndodhemi” – u shpreh Kallaba.

Në garë për pozitat 3 dhe 4 që sigurojnë ndeshje balotazhi, përveç Vllaznisë janë edhe Dukagjini i Klinës dhe 2 Korriku, me të cilën skuadër do të takohen javën që vjen, ndërsa Kallaba gjithashtu theks të veçantë i vuri edhe ndeshjes së parafundit, kundër Vitisë.

“Në ndeshjen e parafundit do të luajmë kundër Vitisë. Është një derbi lokal, ku realisht ka një rivalitet të madh. Besoj se kësaj rradhe neve do jemi më të mirët, duke pasur parasysh se do ketë edhe një rivalitet mes futbollistëve shkupjan” – deklaroi Leonard Kallaba.

Rikujtojmë përveç Kallabës, pjesë e Vllaznisë së Pozhoranit janë edhe dy futbollistë tjerë shkupjan, Shaban Sulejmani dhe portieri, Jasir Bajrami, ndërkohë në anën tjetër për Vitin luajnë dy ish futbollistët e FC Shkupit, Minas Osmani dhe Ertan Hasan.

 

Leave a Reply