Pobeda mundi Bregallnicën, tashmë Shkupi pjesë e balotazhit

Skuadra e Pobedës ka shënuar fitore 2:1 në transfertën ndaj Bregallnicës, duke vazhduar në këtë mënyrë serinë e fitoreve në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.  Për skuadrën nga Prilepi ishte kjo fitorja e tretë e njëpasnjëshme, pas atyre ndaj Shkëndijës dhe Shkupit, me ç’rast kjo skuadër tashmë pozicionohet në pozitën e 7-të, duke i lënë vendin e balotazhit ekipit të Shkupit.

Që të tre golat e kësaj përballje u realizuan në pjesën e dytë. Ishte kapiteni Bllagoja Geshoski, ai i cili në minutën e 65-të shndërroi në gol penaltinë e akorduar nga ana e arbitrit kryesor Dimitar Meçkarovski për rezultat 1:0, ndërkohë 12 minuta më pas serbi Miroslav Staniç realizoi edhe golin e dytë për Pobedën.

Golin e nderit dhe njëherit të fundit në këtë përballje për Bregallnicën e realizoi Bojan Miovski në minutën e 80-të. Pas kësaj disfate, Bregallnica edhe zyrtarisht sezonin tjetër do të garojë në Ligën e Dytë, së bashku edhe me Makedonija Gjorçe Petrovin, derisa për ti ikur pozitës së balotazhit (pozitës së 8-të) në tre xhirot e fundit do të luftojnë Pobeda dhe Shkupi, skuadër kjo e cila për momentin ndodhet në këtë pozitë me 33 pikë, një më pak se skuadra nga Prilepi në pozitën e 7-të.

Leave a Reply