Kosova del e bronztë nga Botërori i hendbollit i vendeve në zhvillim

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka fituar medaljen e bronztë në kuadër të Kupës së Botës në hendboll të vendeve në zhvillim. Përfaqsuesja kosovare në finalen e vogël mundi Qipron me rezultatin 32:25, shkruan “infOSport.mk”.

Përveç medaljeve të bronzta hendbollistët kosovarë fituan të drejtën për të qenë pjesë e eliminatoreve për Evropianin e vitit 2020, në të cilin për herë të parë do të marrin pjesë 24 kombëtare.

Të pranishmit në palestrën DKS “Vasil Levski” ishin protagonist të një ndeshje të shkëlqyeshme, ku fituesi nuk diheshe deri në mbyllje të takimit.

Rezultati i pjesës së parë, 16:12 në favor të Kosovës na bëri të mendojnë që hendbollistët kosovar nuk do të kenë fare probleme për të arritur deri tek fitorja, mirëpo nuk doli ashtu, pasi qipriotët gjatë pjesës së dytë treguan një forcë dhe dëshirë të madhe, ku për një çast duke iu falënderuar edhe lojës së fortë në mbrojtje arritën që të barazojnë rezultatin. Madje 13 minuta para mbylljes së takimit, Qipro kaloi në epërsi 22:20, por që hendbollistët kosovar sërish dolën në skenë duke kthyer rezultatin në favorin e tyre, edhe atë vetëm pas minutave.

Kur koha në semafor tregonte vetëm edhe 8 minuta deri në fund të takimit, Kosova avansoi me dy gola, 25:23, duke vazhduar me të njëjtin ritëm deri në fund të takimit, kur edhe mbyllën ndeshjen me një epërsi prej 7 golash 32:25, njofton “infOSport.mk”.

Rikujtojmë Kosova të njëjtin sukses e kishte arritur edhe dy vite më parë, kur të njëjtat gara ishin zhvilluar në Kosovë.

Ndryshe medaljes së artë në kuadër të këtij Botërori iu gëzua përfaqësuesja e Ishujve Faroe që kishin mundur Kosovën në ndeshjen gjysmëfinale. Ata në finalen e madhe mundën Turqinë me rezultatin e ngushtë 26:25.

Leave a Reply