Holandezet shpallen kampione të reja të Evropës në futboll (VIDEO)

Holanda është shpallur kampione e re e Evropës në futboll për femra, pasi në finalen e madhe mundën vashat e Danimarkës me rezultatin 4:2.

Finalja e madhe u zhvillua në Stadiumin “De Grolsch Veste”, në Enschede, ku përpara 28 mijë spektatorëve skuadra holandeze përmbysi disavantazhin e fillimit të ndeshjes, për t’u kurorëzuar me trofeun më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër, në rang përfaqësuesesh.

Takimi u zhbllokua pas 5 minutave lojë, kur sulmuesja me origjinë afgane Nadia Nadim shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit. Gjithsesi ekipi holandez reagoi shpejt duke barazuar shifrat me 21-vjeçaren Vivianne Miedema.

Pa u mbushur as gjysmë ore lojë mesfushorja e Barcelonës, Martens, kaloi në epërsi ekipin vendas, megjithatë avantazhi i Holandës zgjati vetëm 5 minuta, pasi në minutën e 32-të, Harder riktheu ekuilibrin, duke i dërguar në interval skuadrat me rezultatin e barabartë 2:2.

Kapitenia Sherida Spitse që luan pikërisht për ekipin e Tuente-s dhe njëherësh edhe futbollistja e ndeshjes kaloi përpara kombëtaren holandeze, ndërsa në fund sulmuesja e re e Arsenalit, Miedema shfrytëzoi hapësirat e krijuara në mbrojtjen daneze dhe falë një aksioni personal shënoi golin e dytë në këtë finale, duke vulosur përfundimisht edhe triumfin 4:2 të skuadrës “tulipane”.

Vlen të theksohet se Holanda në këtë kompeticion i fitoi të gjithë ndeshjet me golaverazhin e përgjithshëm 13:3.

Leave a Reply