Emini, kontratë me Shkëndijën

Shkëndija dhe Emini kanë firmosur një kontratë të vlefshme nga 31 korriku 2017 deri me 14 qershor të vitit 2018. Një gjë të tillë mëson “infOSport.mk”, burime të së cilës pohojnë se futbollisti tetovarë tashmë është regjistruar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, si futbollist i Shkëndijës.

Federata Shqiptare e Futbollit fillimisht refuzoi të jepte lejekalimin, duke e konsideruar lojtarin nën kontratë, por kontrata e paraqitur nga FSHF ishte vetëm në gjuhën shqipe, çka e bën të dyshimtë lidhjen kontraktuale mes klubit e lojtarit.

Gjatë gjithë periudhës kur Shkëndija kërkonte regjistrimin e lojtarit, Kukësi nuk bëri asnjë kërkesë në FIFA që Emini të kthehej në Shqipëri. E gjithë kjo bëri që Gjykatësi të mendojë se Kukësi nuk ka qenë realisht i interesuar për shërbimet e futbollistit, i cili thotë se marrëveshja me Kukësin i ka përfunduar që në korrik, menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve evropiane me skuadrën nga verilindja e Shqipërisë.

Gjithë këto dëshmi dhe dyshime ndaj Kukësit, bënë që gjykatësi Unik të autorizojë përkohësisht Federatën e Futbollit të vendit tonë që ta ta regjistrojë Eminin si futbollist të Shkëndijës, me të cilën skuadër madje ka kryer edhe stërvitjet.

Emini ka të drejtë të aktivizohet menjëherë në kampionatin tonë elitarë, ndërsa Kukësi mund ta ndjekë çështjen në organet përkatëse, për të vërtetuar që ka pasur një kontratë të rregullt me lojtarin. Deri atëherë, nëse nuk ka një vendim të ri, Emini lejohet të aktivizohet me Shkëndijën.

Leave a Reply