Nazmi Ajdini i kënaqur me angazhimin e Sulejmanit te Vëllazërimi

Skuadra e Vëllazërimit gjatë ditës së sotme ka siguruar shërbimet e futbollistit shkupjan, Shaban Sulejmani. Është ky përforcimi i 7-të i bërë nga ana e drejtuesve të rinj të skuadrës kërçovare, nga i cili i kënaqur ka mbetur edhe trajneri Nazmi Ajdini, që njeh mirë kualitetet e këtij futbollisti.

“Ka qenë në Vëllazërim edhe më parë dhe e njoh shumë mirë pozicionin e tij. Është krahu i djathtë, ndërsa gjithashtu mund të luaj edhe në disa pozicione tjera në fushë. Duke e njohur si të tillë, mendoj se do të jetë një përforcim i mirë për skuadrën tonë. Atë do të mund të shfrytëzojë në disa pozicione, kuptohet sipas nevojës dhe sipas mundësive. Duke pasur parasysh se edhe mbrojtësin e djathtë që kemi për momentin, nuk e kemi qindpërqindtë të përgatitur dhe të aftësuar për lojë, besoj se Shaban Sulejmani do të jetë një alternativë e mirë për këtë pozicion, ndërsa besoj se me gjithë këto përforcimet e bëra do të mund ta sigurojmë mbijetesën në fund të kampionatit” – tha enkas për “infOSport.mk” trajneri i Vëllazërimit, Nazmi Ajdini.

Shaban Sulejmani te Vëllazërimi vjen nga rradhët e Skopjes, për të cilën skuadër luajti në vetëm një ndeshje, edhe atë kundër Renovës. Edhe pse i ishte bashkuar më herët skuadrës shkupjane, për shkak dokumentacionit jo të plotë, ai debutoi me Skopjen vetëm në xhiron e tretë të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë, ndërsa nëse çdo gjë do të jetë në rregull me dokumentacionin e tij, ai me fanellën e Vëllazërimit, do të mund të debutojë që në ndeshjen e së shtunës kundër Lokomotivës.

Leave a Reply