Shehi i Skënderbeut portieri i katërt më i mirë në LE

Portieri legjendar i Skënderbeut, Orges Shehi do të luajë sot ndeshjen e tij të fundit në arenën evropiane. Portieri i skuadrës korçare, i cili ka vendosur që të varë dorashkat në fund të sezonit, kërkon një tjetër rezultat të rëndësishëm sonte në Bern të Zvicrës, përballë Jang Bojs, në një edicion për t’u vënë në kornizë nga korçarët.

Gardiani do të jetë shumë i motivuar në këtë ndeshje të fundit, jo vetëm për të mbyllur sa më mirë karrierën e tij ndërkombëtare, duke ruajtur apo përmirësuar pozicionin aktual që ka në Ligën e Europës si portieri i katërt me më shumë pritje gjatë fazës së grupeve.

Sipas statistikave të UEFA-s, Shehi ka realizuar 21 pritje gjatë 5 ndeshjeve të zhvilluara deri tani, që do të thotë qartësisht se ka dhënë një dorë shumë të rëndësishme te 5 pikët e tubuara nga ana e skuadrës së Skënderbeut në kuadër të grupit “B”.

Në 5 ndeshjet e deritanishme të grupit Shehi ka regjistruar 4,2 pritje për ndeshje, duke përmirësuar mesataren e 3,2 pritjeve që kishte bërë gjatë ndeshjeve eliminatore të këtij kompeticioni. Në atë fazë Shehi në 8 ndeshje të zhvilluara kishte realizuar 26 pritje, duke ndihmuar në atë mënyrë Skënderbeun për të siguruar fazën e grupeve, për të dytën herë në historikun e skuadrës korçare.

Ndeshja ndërmjet Jang Bojsit dhe Skënderbeut, e fundit në kuadër të fazës në grupe të Liga Europa starton në ora 19:00.

 

Leave a Reply