Berat Jakupi reagon ndaj ARSM-së!

Deri sa mbrëmë Agjenicioni për Rini dhe Sport ndau çmimet për laureatët e vitit 2017, sot vjen reagim i ashpër ndaj përzgjedhjes së sportistit të vitit. Karateisti Berat Jakupi ka sulmuar ashpër Agjencionin për Rini dhe Sport, duke pretenduar padrëejtësi dhe parregullsi në marrjen e vendimit për më të mirin e vitit 2017, në këtë rast Stojançe Stoliovin. Jakupi si nënkampion i Europës në karate ishte nominuar për çmimin “Sportist i vitit në Maqedoni”, mirëpo pasi çmimi shkoi në adresë tjetër, ai përmes një postimi në profilin e tij në fejsbuk shpreh indinjatën e tij në lidhje me zgjedhjen e bërë. Sipas Jakupit, është e pakuptimtë që çmimi individual t’i jepet një sportisti që vjen nga një sport ekipor dhe suksesin për të cilin i veshet ky vlerësim e ka shënuar edhe falë kolektivit ku luan.

“Vlerësimi nga ana e komisionit profesional, lidhjes së federatave sportive në RM, si dhe Unioni i gazetarëve sportiv në përzgjedhjen e Sportistit më të mirë ishte e njëanëshme dhe politike. Çmimi Sportist viti i jepet sportistit i cili sjell medalje nga lojrat olimpike, kampionate botërore apo evropiane, pjesëmarrës si anëtar i kombëtares në sportin përkatës dhe në qoftëse brenda vitit s’kemi ndonjë rezultat të tillë, në ato raste merren parasysh rezultatet e klubeve në arenën ndërkombëtare”, thotë mes tjerash në reagimin e tij Berat Jakupi, duke vijuar: “Unë, Berat Jakupi, vlerësoj se më është bërë padrejtësi dhe nuk do të toleroj pozicionin e inferioritetit dhe nëpërkëmbjen. Ne, sportistët, respektohemi dhe çmojmë njëri tjetrin dhe ashtu do të vazhdojmë në të ardhmen, por padrejtësitë që vijnë nga njerëz të frustruar apo grupe të caktuara do t’i publikojmë”, përfundon Jakupi.

Leave a Reply