Gereth Bejl drejt largimit nga Reali, nuk e duan në Madrid!

Skuadra e Real Madridit ka marrë vendim për ta larguar sulmuesin uellsian Gereth Bejl në sezonin e ardhshëm. 3 ndeshje në stol nga 4 të fundit, janë një tregues se tashmë ajo mes Bale dhe Zidane është kthyer në një çështje, por sigurisht që mbi të gjitha domethënës ishte fakti që sulmuesi 28-vjeçar nuk u aktivizua si titullar në duelin e fortë europain me PSG-në. Rikthim si titullar vetëm në ndeshjen me Betisin, por që nuk e pa protagonist në asnjë prej 73 minutave, ku u shënuan 4 gola.

Sjellja e sulmuesit 28-vjeçar ka qenë një faktor që e ka ndaluar atë të triumfojë në Madrid. Bejl është treguar disi egoist në fushë, pa menduar për kolektivin, duke mbetur si një pjesë e huaj në trupin e kësaj skuadre, pa arritur të integrohej me të. Në mënyrë paradoksale aftësitë e tij të jashtëzakonshme si lojtar nuk ka arritur t’ia shtojë organikës për një një lojë në ekip.

Transferimi i tij në Madrid ishte ndër më të shtrenjtët e historisë së ‘Los Blancos’ dhe i tillë ka qenë dhe trajtimi që ka marrë aty. E ngjitën në ‘majën e Olimpit’ madrilen, duke e projektuar si pasuesin e Cristiano Ronaldos, por 5 vjet më pas realiteti paraqitet krejt ndryshe. Bejl nuk pati rendimentin e dëshiruar, sikundër paraqiti një dobësi fizikë dhe mentale duke mos plotësuar kriteret për të qenë ai lideri i ri i këtij grupi.

I dëmtuar 25 herë, Bejl ka humbur plot 78 ndeshje, pothuajse një në tre takime. Për këtë arsye tek Reali kanë vendosur që t’i besojnë fakteve dhe realitetit sado zhgënjyes të jetë ai. Palët tashmë i kanë objektivat e qarta, me Realin që kërkon të largojë Bejlin me synimin për të sjellë në organikë Eden Hazard, Herri Kejn dhe Mauro Ikardi.

Leave a Reply