UEFA e lë në fuqi vendimin, Skënderbeu përjashtohet përfundimisht

Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi dënimin me 10 vjet përjashtim nga garat evropiane të Skënderbeut dhe gjobën prej 1 milion eurosh, pas seancës së para pak ditëve ku dëshmuan edhe disa prej lojtarëve dhe ish-lojtarëve kyç të korçarëve.

Pas rreth 6 orë pyetjesh dhe përballje faktesh, paraqitja e përfaqësuesve të Skënderbeut përballë Komisionit të Apelit të UEFA-s përfundoi më 26 prill.

Veç presidentit Ardian Takaj, përballë Komisionit të UEFA-s dëshmoi atë herë edhe Sabien Lilaj, i cili ishte i kërkuar nga vetë përfaqësuesit e UEFA-s, i cili së bashku me Bakari Nimagën nuk kishin folur ndonjëherë për këtë çështje.

Pas tyre janë pyetur me radhë ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, sot trajneri i Lirisë së Prizrenit; Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus; si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari.

Pavarësisht se kanë dëgjuar dëshminë e të gjithë këtyre lojtarëve dhe ish-lojtarëve, përfaqësuesit e Komisionit të Apelit të UEFA-s iu qëndruan fort raporteve të sistemit “BFDS”.

Leave a Reply