Milani fiton garën me Interin për holandezin Depaj

Drejtuesit e Milanit janë në rrugë të mirë që të fitojnë garën me fqinjët e tyre të Interit për shërbimet e holandezit, Memfis Depaj. “Rossonerët” kanë gjetur gjuhë të përbashkët me 24-vjeçarin për kushtet e tij personale. Futbollisti i Lionit është pajtuar të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë nga 4.5 milion euro në sezon.

Tashmë mbetet që drejtuesit e Milanit të dakordohen me homologët e tyre të Lionit rreth shumës së transferimit, të cilët për shërbimet e sulmuesit të tyre kërkojnë 40 milion euro.

Holandezi u ringjallë me transferimin e tij në Francë te skuadra e Lionit, pasi klaoi një periudhë shumë të vështirë në Angli me fanellën e Mançester Junajtedit.

Gjatë sezonit të kaluar ai realizoi 22 gola në të gjitha turnetë, me ç’rast sërish tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha europiane.

Ish sulmuesi i PSV Ajndhovenit ishte vëzhguar drejtëpërdrejtë nga ana e trajnerit të Milanit, Xhenaro Gatuso në ndeshjen miqësore Itali-Holandë (1:1), që u zhvillua më herët gjatë kësaj jave në Torino.

Leave a Reply