Imeri flet si “kuqezi”

Omar Imeri pas një viti të kaluar te FC Shkupi, vendosi që karrierën e tij ta vazhdojë te Shkëndija e Tetovës. Është ky një hap para për mesfushorin shkupjan, i cili u bashkohet kampionëve në fuqi të vendit. Një transferim të këtillë të lirë te skuadra tetovare, i’a mundësoi edhe kontrata amatoreske që kishte me FC Shkupin, skuadër kjo që edhe përkundër tentativave për ta mbajtur në rradhët e veta, nuk i’a arriti qëllimit.

“Jam shumë i lumtur që më jepet rasti të firmos me Shkëndijën. Të gjithë e dinë se për çfarë ekipi bëhet fjalë, skuadër që rritet nga viti në vit, sezonin e fundit dominuan kampionatin vendor duke fituar të dy titujt ndërsa tashmë ca vite përfaqësohet suksesshëm edhe në Europë. Ndjehem krenar të jem në këtë mjedis, ku besoj të vazhdoj të zhvillohem si futbollist për të dhënë kontributim tim në sukseset e ardhshme dhe për të arsyetuar besimin e drejtuesve të klubit”, ka thënë Omar Imeri gjatë prezantimit të tij te skuadra tetovare.

Shkupjani rrjedh nga shkolla e FC Shkupit, një periudhë ishte pjesë e Rabotniçkit, para se të kthejë te Shkupi ku sezonin e kaluar zhvilloi 24 paraqitje për ekipin e parë, duke realizuar tre gola.

Ai së fundmi u grumbullua nga përfaqësuesja U21 e Maqedonisë, ndërsa skuadra të ndryshme nga vendi dhe jashtë shprehnin interesim për shërbimet e tij.

Imeri tashmë ka udhëtuar drejt Sllovenisë ku bashkohet me Shkëndijën në fazën përgatitore në Rogashka Sllatina.

Leave a Reply