“The Guardian” kritikon Xhakën dhe Shaqirin

E përditshmja britanike, “The Guardian” ka kritikuar dy futbollistët shqiptarë të përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin për festimet e tyre të bëra me shqiponjë.

Kjo gazetë, një ditë pas ndeshjes të cilën Zvicra e fitoi 2: 1 kundër Serbisë, ka shkruar se dy futbollistët shqiptarë kanë rrezikuar në ngritjen e tensioneve politike në Ballkan kur përdorën simbolin kombëtar të Shqipërisë për të festuar golat kundër Serbisë.

“Dyshja, të dy shqiptarë, por të rritur në Zvicër, kthyen rezultatin pasi Serbia kishte epërsinë me golin e Aleksandar Mitroviq të shënuar në fillim të pjesës së parë”, –  shkruan The Guardian.

“Të dy hapën duart për të bërë atë që njihet si shqiponjë me dy krerë të paraqitur në flamurin e Shqipërisë. Gjesti i tyre me gjasë do të rrisë tensionet mes nacionalistëve serbë dhe shqiptarëve”, – shkruan gazeta e njohur britanike.

“Shaqiri ka lindur në Kosovë, ish-provincë e Serbisë që deklaroi pavarësinë në vitin 2008. Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet mes dy shteteve mbesin të tensionuara. Prindërit e Xhakës vijnë nga Kosova. Babai i mesfushorit të Arsenalit ishte burgosur në ish-Jugosllavi për protesta në favor të pavarësisë së Kosovës”, shkruan “The Guardian” për prejardhjen e dy futbollistëve shqiptarë.

Rikujtojmë mbrëmë përveç kësaj dyshe, pjesëe fitores së madhe të Zvicrës ndaj Serbisë ishin edhe Valon Behrami, i cili zhvilloi edhe një tjetër ndeshje perfekte duke e neutralizuar sulmuesin më të mirë serb, Milinkoviç Saviç të Lacios, dhe futbollisti nga Bogovina e Tetovës, Blerim Xhemaili.

Leave a Reply