Komisioni i apelit pranë Federatës italiane heq dënimin e Parmës prej 5 pikëve

Një lajm i mirë për Parmën, skuadër kjo e cila sezonin e ri do të luaj në elitën e futbollit italian. Edhe pse paraprakisht kjo skuadër ishte dënuar me 5 pikë për sezonin e ri, Komisioni i Apelit pranë Federatës së Futbollit italian vendosi që të anulojë këtë vendim, ndërsa gjithashtu dënimin dy vjeçar të futbollistit të kësaj skuadre,  Emanuele Kalajo, e uli në vetëm 4 muaj.

Skuadra e Parmës kishte pësuar një goditje të rëndë pas rikthimit në elitën e futbollit italian, pasi ishin akuzuar për kurdisje të ndeshjes së xhiros së fundit kundër Specias në “Serie B”.

Fitorja në atë ndeshje ishte e patjetërsueshme për Parmën, për të siguruar kualifikimin e drejtëpërdrejtë për në “Serie A”. Parma në atë ndeshje kishte shënuar fitore me rezultatin 2:0.

Prokuroria kishte filluar hetimet ndaj Parmës pas një SMS-i në celularin e 36-vjeçarit Emanuele Kalajo, i cili kishte kërkuar nga ana e futbollistëve të Specias që mos të japin maksimumin.

Vetë Kalajo kishte pranuar për këto SMS, mirëpo ai kishte qenë kategorik, duke thënë se ato kishi qenë vetëm një lloj shakaje dhe asgjë më tepër.

Dënimi fillestar për heqjen e 5 pikëve u zëvendësua me një dënim prej 20 mijë euro, teksa dënimi dy vjeçar i Kalajos është ulur në vetëm 4 muaj, deri me 31 dhjetor të këtij vit, mirëpo njëkohësisht dënimi i është rritur në 30 mijë euro.

Leave a Reply