Renova sot miqësore ndaj Sileksit në Gostivar

Renova dhe Sileksi gjatë ditës së sotme në stadiumin e qytetit në Gostivar do të zhvillojnë një ndeshje miqësore, për të shfrytëzuar në këtë mënyrë pauzën në kampionat për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”.

Që të dyja skuadrat edhe gjatë ditës së djeshme zhvilluan miqësoret e tyre, duke dalë fitues përballë skuadrave të Vëllazërimit, gjegjësisht ekipit të Rabotnik.

Renova në Kërçovë mundi Vëllazërimin me rezultatin 3:0, teksa Sileksi në Novaci me rezultatin 5:1 mundi ekipin e Rabotnik. Trajneri Zhikica Tasevski në këtë përballje ju dha mundësinë futbollistëve me më pak minutazh në ndeshjet kampionale, teksa autorë të golave për ekipin nga Kratova ishin, Darko Aleksovski (2 gola), Filip Ristovski, Petar Ljamçevcski dhe Dario Desniq.

Ky i fundit u ankua në një lëndim të lehtë, ashtu që ka gjasa të mos luaj në takimin e sotshëm ndaj Renovës.

Skuadra nga Xhepçishti në takimin e djeshëm ndaj Vëllazërimit luajti me dy formacione të ndryshme, ndërsa që të tre golat me autorë Nikolla Pantoviç, Miran Maksuti dhe Fatjon Jusufi i shënoi gjatë pjesës së dytë, transmeton “infOSport.mk”.

Edhe në takimin e sotshëm përballë Sileksit, trajneri Jeton Beqiri pritet të luajë me dy formacione të ndryshme, ndërsa për shkak lëndimeve strategu tetovar nuk do të rrezikojë me dyshen sulmuese Emran Ramadani-Vllatko Stojanovski, që ankohen në lëndime të lehta.

Ndeshja Renova – Sileksi në qytetin e Gostivarit do të startojë në ora 16:00.

Leave a Reply